Barcelona është një nga klubet e interesuara për David Alaba. “Xholi” austriak ndodhet në vitin e fundit të kontratës me Bayern Munchen, pjesë e të cilëve është prej verës së vitit 2011.
Akordi i rinovimit nuk po vjen dhe polemika kanë shpërthyer në lidhje me këtë temë. Bavarezët kanë vendosur të mos e lusin më dhe shitja e 28-vjeçarit në janar është e paevitueshme.
Katalanasit kanë negociuar shumë ditët e fundit me agjentin e Alaba, por marrëveshja është larg. Sport.es raporton se kërkesat e larta financiare të lojtarit austriak kanë shtangur drejtuesit e Barcelonës.
Alaba pretendon një rrogë prej 15 milion eurosh neto në sezon, por jo vetëm kaq. Ai dhe agjenti i tij pretendojnë edhe bonuse të majme në lidhje me kalimin në “Camp Nou”.
Spanjollët nuk kanë ndërmend t’i plotësojnë kërkesat e anësorit të majtë, për të cilin ka interesim të madh edhe nga Serie A dhe Premier League. /abcnews.al