Është arrestuar në Turqi, Ibrahim Lici i dyshuar për vrasjen e Endri Mustafës në Shkodër. Gazetari Ervin Leka raporton se ka qenë një operacion i përbashkët mes policisë shqiptare dhe asaj turke që ka sjellë lokalizimin dhe ndalimin e tij. Policia shqiptare ka mundur të gjejë vendndodhjen e tij dhe ka njoftuar homologët turk.
Emri i Ibrahim Licit si autor dyshohet se doli nga dëshmia e Ergys Maljas para grupit hetimor. Pak ditë pasi u arrestua, ai akuzoi Licin si autor të vrasjes. Sipas të miturit, ai ishte nisur me viktimën drejt Livadheve, por përpara i kishte dalë Lici duke qëlluar direkt mbi Mustafën dhe duke u larguar më pas me motor.
Ibrahim Lici, është një person i njohur për policinë. Emri i tij lidhet me ngjarje të bujshme në Shkodër. Ndërsa Endri Mustafa njihej si pjesëtar i grupit të Bilalajve në Shkodër. Në familjet Lici dhe Bilali janë kryer një sërë vrasjesh. Në gusht 2018 u ekzekutua me breshëri kallashnikovi Fatbardh Lici, vëllai i Mustafa Licit.
Në mars 2019 u vranë në derë të shtëpisë Brahim dhe Astrit Bilali. Për krimin e dyfishtë u shpall në kërkim Ibrahim Lici, por vetëm në prill të vitit 2021, u hoq nga kërkimi për mungesë provash./abcnews.al