Harvey Weinstein është vetëdeklaruar i pafajshëm ndaj akuzave për agresion seksual. Ish-producenti i famshëm ka akuzuar prokurorët e çështjes se i janë nënshtruar presionit politik.
Ish-producenti i Hollivudit, Harvey Weinstein, është vetëdeklaruar i pafajshëm për akuzat për përdhunim dhe ngacmime seksuale. Ai u shfaq të martën në Gjykatën e Lartë të Nju Jorkut, pas padisë së ngritur javën e kaluar nga juria. Weinstein, 66 vjeç, ka mohuar vazhdimisht përmes avokatit të tij se ka kryer marrëdhënie jokonsensuale.
Sidoqoftë, ai rrezikon të përballet me 25 vjet burg nëse dënohet qoftë edhe për një nga akuzat, të ngritura pas denoncimit të dy grave. Në fakt, ish-producenti është akuzuar për ngacmime seksuale nga më shumë se 70 gra. Krahas hetimeve të nisura nga autoritetet federale në Nju Jork, ai po hetohet edhe nga autoritetet në Los Anxheles dhe Londër.
I veshur me kostum të zi dhe kravatë, Weinstein dhe avokati i tij Benjamin Brafman ecën përgjatë turmës së gazetarëve dhe fotografëve që i prisnin në selinë e gjykatës së Manhatanit. Zoti Brafman deklaroi se ndaj prokurorëve është ushtruar presion politik për ta dënuar klientin e tij për shkak se është një çështje e profilit të lartë dhe ngritjes së lëvizjes “MeToo”, nga gratë që kanë rënë pre e abuzimeve.
Aktualisht Weinstein po gjykohet në gjendje të lirë pasi ka paguar një garanci financiare prej 1 milion dollarë. Por ai ka pranuar të mbajë byzylykun elektronik me gjurmues GPS dhe të dorëzojë pasaportën./abcnews.al