Mario Balotelli është kritikuar shumë gjatë karrierës së tij, por kohët e fundit, ka pasur dhe ngatërresë me presidentin e Brescias, Massimo Cellino. Madje, flitet për një ndërprerje para kohe të kontratës së Balotellit.
Sot u raportua edhe një mungesë e bomberit italian në stërvitje, por vetë SuperMario, në Instagramin e tij, ka sqaruar gjithçka: “Si mund të shkruani që nuk jam në stërvitje? Keni shumë gazetarë që ishin në seancën stërvitore me kamerat e tyre”, insistoi Balotelli në “Storyt” e tij në Instagram.
“Unë gjithmonë jam prezent në stërvitje, dy herë në ditë, thuajse çdo ditë! Si mund t’i mohoni të gjitha provat që vërtetojnë se unë dal në stërvitje? Nuk jam fantazmë që mund t’i shmangem kamerave. Situata me kontratën time? Në kohën e duhur, do të sqaroj gjithçka dhe kur unë ta bëj diçka të tillë, ju do ta kuptoni shumë mirë situatën”, shkroi mes të tjerash SuperMario./abcnews.al