Akuzat e PD për të shkuarën e Kajmakut, Prokuroria i kërkon dokumentet

schedule17:00 - 27 Gusht, 2019

schedule 17:00 - 27 Gusht, 2019

Ndërkohë, Prokuroria e Përgjithshme i ka dërguar një kërkesë selisë blu që t’i vërë në dispozicion dokumentet që disponon për të shkuarën e Kryebashkiakut të Vorës Agim Kajmaku.

Pas akuzave të vazhdueshme të Partisë Demokratike për kryebashkiakun e Vorës Agim Kajmaku, prokuroria e Përgjithshme është vënë në lëvizje. Organi më i lartë i hetimit në vend i është drejtuar me një kërkesë selisë blu, me anë të së cilës i kërkon që t’i vërë në dispozicion të gjitha dokumentet që disponon, lidhur me të shkuarën kriminale që PD pretendon për Kajmakun. Kërkesa mësohet se i është dërguar sekretarit të Përgjithshëm demokrat, Gazment Bardhi.

Ndërkohë Njësia e Dekriminalizimit pranë prokurorisë së përgjithshme i ka kërkuar kreut të Bashkisë së Vorës, Agim Kajmaku, që të depozitojë në policinë shkencore gjurmët e gishtërinjve. Burime nga Prokuroria e Përgjithshme bëjnë me dije se, kryebashkiaku i Vorës nuk i ka dhënë ende gjurmet e gishtave. Prokuroria e Përgjithshme ka nisur hetimin për të verifikuar nëse kryetari i bashkisë së Vorës, ka çështje të hapura me drejtësine greke.

Sipas burimeve nga kjo Prokurori, fillimisht do të bëhen verifikimet në vendin tone për shkak se kryebashkiaku i Vorës ka ndryshuar emrin dhe më pas do të dërgohet letërporosi drejt institucioneve të drejtësisë në Greqi, lidhur me te shkuaren e Agim Kajmakut. Informacion në vendin tonë i është kërkuar zyrës së Gjendjes Gjyqësore dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile, Ministrisë së Drejtësise dhe Prokurorive të Shkallëve të para dhe atyre të Apelit në Tiranë. /ABC News Albania 24/7

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!