Pampuri në ABC: Psikologu i nevojshëm edhe për personelin mjekësor

schedule13:22 - 20 Nëntor, 2020

schedule 13:22 - 20 Nëntor, 2020

Ish-deputetja e Partisë Demokratike dhe psikologja Oriola Pampuri e ftuar në “ABC” me gazetaren Juli Xhokaxhi foli për pasojat që shkakton në psikologjinë e qytetarëve situata me pandeminë në vend, për vitin elektoral të Partisë Demokratike përpara zgjedhjeve në pranverën e ardhshme.

Pampuri u shpreh se në situatën epidemike që Shqipëria ndodhet është më se normale dhe e domosdoshme që qytetarët të drejtohen te psikologu për këshillime dhe marrjen e ndihmës për përballimin sa më lehtë me frikën nga Covid.

Kontakti me psikologun sipas saj është i këshillueshëm edhe për stafin mjekësor.

“Është më se e domosdoshme të shkohet tek psikologu në një situatë të tensionuar siç jemi për shkak të pandemisë. Shumë stres i akumuluar e pengon njeriun të kryejë punët e përditshme dhe rëndon në mënyrë konstante gjendjen e tij. Psikologu është shumë i rëndësishëm edhe në mjekësi, vetë ekipi  mjekësor e ka të nevojshëm dhe psikologu është pjesë e ekipit multidisiplinar”, tha Pampuri.

Në lidhje me deklaratat politike për pandeminë, të dy partive kundërshtare, Partia Demokratike dhe ajo  Socialiste, se si ndikojnë ato tek njerëzit, Pampuri tha:

“Po flas në aspektin profesional. Mendoni 50 vjet në komunizëm që reflektohej sikur këtu ishte gjithçka e shkëlqyer kur në fakt nuk ishte kështu, çfarë pasojash lanë tek ne? Nuk është aspak për të përhapur panik por duhet të themi të vërtetën, nëse e fshehim atë do të humbasim besimin tek qytetarët dhe pacientët. Gjërat kur prezantohen me fakte, edhe nëse është lajm i keq është gjë e mirë.

Ka debat nëse duhet të thuhet diçka e keqe apo jo, në shumicën e rasteve duke bërë transparencë të situatës ndërmerren masat se si duhet vepruar më tej. Apeli im është se duhet të themi atë që është dhe ti themi ashtu siç është, nëse veprojmë ndryshe, kjo gjë do të ndikojë negativisht në psiken e individit”, tha ndër të tjera psikologja.

Sa i përket deklaratës së kreut të PD Lulzim Basha në lidhje me viktimat e Covid në Shqipëri ku sipas tij shifrat nuk janë raportuar të sakta, Pampuri tha se PD bashkëpunon me ekspertë dhe mjekë dhe informacionin e merr edhe nga brenda spitaleve Covid në Tiranë dhe më gjerë.

“Brenda Partisë Demokratike janë një grup i madh ekspertësh të cilët bashkëpunojnë edhe për të dhënë lajmin e duhur. Disa përfaqësojnë PD edhe publikisht, disa të tjerë janë mjekë të nderuar dhe ekspertë, profesor të nderuar të cilët ofrojnë informacionin ashtu siç është brenda spitaleve Covid”, deklaroi ajo.

Ndërkohë në lidhje me vitin elektoral  të Partisë Demokratike, Pampuri theksoi se, të gjithë ish-deputetët dhe anëtarët e saj janë çdo ditë në takime me qytetarët dhe vijojnë punën me ta.

“Kemi patur një vit të rëndësishëm e cila nisi në fund të qershorit, të gjithë anëtarët dhe ish deputetët janë të përfshirë në takime me qytetarët, puna vazhdon intensivisht çdo ditë. Rama është në pikën e tij më kritike. Ishte e tmerrshme të shikoje një kryeministër me shikueshmëri aq të ulët gjatë  mbrëmjes së djeshme”, tha ish-deputetja.

n.d./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!