UEFA dhe Federatat e shteteve të mëdha nuk po dorëzohen dhe shpresojnë që të rinisë zhvillimi i ndeshjeve të futbollit sa më shpejt. Koronavirusi po bën kërdinë, por sezonet aktuale duhen mbyllur, sipas drejtuesve të futbollit.
Belgjika dha e para shembullin, pezulloi përfundimisht kampionatin, e njohu me renditjen aktuale dhe shpalli kampion Club Brugge. Marc Overmars nuk e beson se si akoma nuk po merret vendimi për t’i dhënë fund këtij sezoni dhe sulmon ashpër UEFA-n dhe Federatën Holandeze të Futbollit.
“Është e pakuptueshme që UEFA dhe Federata jonë nuk ndërpresin përfundimisht kampionatet e këtij sezoni. Janë njësoj si Donald Trump (presidenti i SHBA) një javë më parë. Ndërkohë që po vdesin qindra persona çdo ditë, për ta ka më shumë rëndësi ekonomia sesa shëndeti i njerëzve”, deklaron për Telegraaf, drejtori sportiv i Ajax. /abcnews.al