Akuza për tjetërsim të pronave, SPAK urdhër arresti për “Rrumin” e Shijakut

schedule11:15 - 22 Nëntor, 2022

schedule 11:15 - 22 Nëntor, 2022

SPAK ka lëshuar urdhër arrest për Aleksandër Lahon, i njohur ndryshe si “Rrumi” i Shijakut.

Ai akuzohet për korrupsion dhe falsifikim lidhur me tjetërsimin e pronave në Gjirin e Lalzit.

“Rrumi” është shpallur në kërkim nga policia e Durrësit për heqje të paligjshme të lirisë pas dëshmisë së vëllezërve Beqiraj.

Vëllezërit Beqiraj rrëfyen para hetuesve disa plane për vrasjen me pagesë të shtetasit Aleksandër Laho, i njohur si Rrumi i Shijakut.

“Rrumi” ka mbetur i plagosur më 2 nëntor 2019, pas atentatit që iu bë prokurorit të Durrësit Arjan Ndoj tek mbikalimi i Shkozetit.

Ai po udhëtonte me mjetin e tij në drejtim të Tiranës kur u qëllua me breshëri kallashnikovi nga autorë të paidentifikuar.

Nga të shtënat u plagos vetë ai, shoferi i tij dhe një person me precedentë penale që ndodhej në mjet, Aleksandër Laho i njohur Landi Muharremi ose “Rrumi”. Makina e autorëve u gjet e braktisur në një fshat të Ishmit.

Njoftimi nga SPAK:

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka në hetim procedimin penal nr.235 të vitit 2020, për veprat penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Falsifikimi i dokumenteve” kjo e fundit kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 259, 244, 248, 186, 28/4, 333/a dhe 334 të Kodit Penal.

Në vijim të hetimeve me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me vendimin nr. nr.76 datë 20.10.2022 ndërmjet të tjerave ka vendosur:

Caktimin e masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “Arrest në shtëpi”, parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale, për personin nën hetim I. K., i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 259 i Kodit Penal.

Caktimin e masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, për personin A.L. (alias P.M.), i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 244 dhe 25 i Kodit Penal.

Në datën 22.11.2022, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ekzekutoi masën e sigurimit “arrest në shtëpi”, parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale, caktuar ndaj I.K., ndërsa vazhdojnë kërkimet me qëllim ekzekutimin e masës së sigurimit “arrest në burg”, caktuar ndaj të hetuarit A.L. (alias P.M.).

Gjatë hetimeve të këtij procedimi penal është bërë e mundur evidentimi i një skeme të mirëfilltë kriminale në falsifikimin dhe regjistrimin e pronave në vijën bregdetare të quajtur “Gjiri i Lalzit”, Durrës.

Gjatë hetimeve të këtij procedimi penal Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me vendimin nr. 409 datë 30.10.2021 ka vendosur sekuestron preventive mbi një sipërfaqe toke prej rreth 200 000 (dyqind mijë) metra katrorë që gjendet në zonën e quajtur “Gjiri i Lalzit”, Durrës.

Po ashtu, me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme, Gjykata e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, Tiranë, me vendimin nr.497, datë 18.11.2022, ka vendosur sekuestron preventive mbi një sipërfaqe prej 203 100 (dyqind e tre mijë e njëqind) metra katrorë me vendndodhje Shetaj, (Gjiri Lalëz) Durrës.

Vazhdojnë hetimet në lidhje me evidentimin e fakteve penale dhe personave të përshirë në këtë aktivitet kriminal.

/Abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!