Tension dhe akuza në Vlorë pas ndeshjes mes Flamurtarit dhe Teutës. Gjyqtarët u larguan nga stadiumi të shoqëruar nga policia, ndërsa trajneri i vlonjatëve, Ilir Daja, e kritikoi ashpër arbitrimin.
Nervat u përsëritën ashtu si vjet. Arbitrat u larguan edhe një herë nga Vlora të shoqëruar nga policia, dhe të ndjekur përveçse nga zemërimi I tifozëve, edhe nga akuzat e Flamurtarit, pas ndeshjes së Superligës ndaj Teutës. Do të ketë me siguri ndonjë dënim nga komisionet në federatë, dhe ndonjë kritikë për vlonjatët e ashpër, edhe pse dihet se shkalla e reagimit varet nga shkalla e drejtësisë në gjykim. Trajneri i Flamurtarit, Ilir Daja, ishte tepër i acaruar në përfundim.
Ilir Daja, trajner i Flamurtarit: “Nuk dua të merrem me pjesën e gjyqtarit sepse nuk dua ti krijoj lojtarëve të mi alibi, por sigurisht kur diçka është aq demostrative kam kurajon të protestoj dhe mbroj lojtarët e mi. Edhe goli i barazimit të kundërshtarit erdhin nga një faull i pa qenë fare. Më mbrapa me dy standarte, në çdo dyluftim tonin asnjë lloj faulli dhe çdo dyluftim në dëmin tëno, faull në zonat e rrezikshme.”
Natyrisht, pati shumë për të debatuar me gjykimin në Vlorë. Goli i avantazhit i vlonjatëve, me autor Danilo Alveshin. Po ashtu, goditja e dënimit që solli golin e barazimit të durrsakëve me Prognin. Në fund, edhe goli i anuluar i Flamurtarit me autor Torasën, që u gjykua se e mori topin me dorë. Daja pranoi se në pjesën e dytë skuadra e tij nuk luajti mirë, por dha këtë shpjegim.
“Duke filluar nga unë i pari ramë pre e këtij pozicionimi me dy standarte të albitrit dhe dolëm nga ajo që na takon nga pjesa e kontrollit të lojës. Pjesa emocionale doli mbi logjikën që nuk duhet të na karakterizojë kjo lloj gjëje, por në fund fare dhe ne njerëz jemi.”
Trajneri i Teutës, Bledi Shkëmbi, në të kundërt, pati indirekt kritika për nervat e vendasve.
Bledi Shkëmbi, trajner i Teutës: “Ekipi jonë dhe bankina jonë në asnjë moment nuk ishim të tensionuar, por kush e bën tensionin duhet të pyesin ata sepse ne ishim të qetëmë vjen keq sepse futbollistët e të dyja ekipeve po luanin futboll të mirë dhe këto gjëra nuk duhet të ndodhin, megjithatë janë pjesë e sportit.”
Në analizën e tij për ndeshjen, Shkëmbi foli kështu.
“Ashtu si shkoi loja patjetër që jam i kënaqur. Mendoj që kemi bërë një lojë të mirë sidomos pas pësimit të golit dhe fundin e ndeshjes barazimin. Atë që dhamë në fushë mund ta fitonim ndeshjen, por edhe mund ta humbisnim në një moment nga goditjet.”/abcnews.al