Akti i parafundit i Superiores: Përballje delikate, sytë nga Partizani-Vllaznia

schedule08:11 - 24 Korrik, 2020

schedule 08:11 - 24 Korrik, 2020

Superiorja luan aktin e parafundit. Pesë ndeshje në një ditë, njëra në mbrëmje. Sot mund të vendoset skuadra që do të luajë në “play out” kundër fituesit të çiftit Besëlidhja-Pogradeci. Vllaznia është skuadra që rrezikon më shumë.

Shkodranët luajnë në transfetë me Partizanin, kampionen e sezonit të shkuar që sot gjithashtu kërkon fitoren për të mos rrezikuar vetë vendin e tetë. Një finale ajo në Selman Stërmasi dhe nis prej orës 17:45. Edhe Bylisi e ka të tillë përballjen me Luftëtarin.

Ballshiotëve nuk u falet rezultat tjetër veç fitores me Luftëtarin e rënë nga Superiorja, ndërkohë që presin që të ngecë Vllaznia e të jenë të qetë në javën e fundit. Sot luhet edhe për Europën.

Teuta, me Skënderbeun të dënuar, mjafton të mposhtë Flamurtarin dhe kualifikimin në Europë e ka në xhep. Një ndeshje e rëndësishme luhet edhe në Laç, aty ku vendasit përballen me kampionët e Tiranës.

Skuadra e drejtuar nga Armando Cungu e ka siguruar pjesëmarrjen në Europa League, por dëshiron vendin e tretë, që është një fitore larg. Një motiv më shumë për të fituar ndaj Tiranës ditën e sotme.

Kjo javë e Superiores mbyllet në mbrëmjes, me takimin mes Kukësit e Skënderbeut. Një ndeshje prestigji, që verilindorëve u siguron vendin e dytë, kurse korçarët, edhe pse të dënuar, e duan në renditje një vend që të çon në Europë. /abcnews.al

 

Ndeshjet e ditës

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!