Aktakuzë ndaj një serbi për krime lufte në Kamenicë

schedule14:31 - 28 Korrik, 2023

schedule 14:31 - 28 Korrik, 2023

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ka ngritur sot aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamentin Special, kundër një serbi për krime luftë kundër popullatës civile.

Në njoftimin e Prokurorisë bëhet e ditur se i pandehuri me inicialet Z.A., i nacionalitetit serb, të cilin e ngarkon për krime lufte kundër popullatës civile, dyshohet se gjatë periudhës së luftës në Kosovë, dhe në bashkëkryerje me persona të tjerë e ka ndaluar një qytetar, duke e torturuar në mënyrë çnjerëzore dhe maltretuar atë.

“Prokuroria Speciale njofton se ekziston dyshimi i bazuar mirë se i pandehuri Z.A, gjatë periudhës së luftës në Kosovë, në bashkëkryerje me pjesëtarë tjerë të policisë serbe, i uniformuar me uniformë të policisë serbe dhe i armatosur, e kishte ndaluar në qendër të qytetit të Kamenicës të dëmtuarin B.M. duke e torturuar në mënyrë ç’njerëzore, maltretuar dhe duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore, traumë dhe pasoja në shëndet, si dhe, duke e kanosur seriozisht për jetë për një orë e gjysmë, veprime këto të sanksionuara sipas ligjeve vendore, zakoneve të luftës dhe Konventave Ndërkombëtare të Gjenevës dhe Protokolleve Shtesë. Po ashtu, i pandehuri Z.A. në bashkëkryerje me pjesëtarë tjerë të policisë serbe dhe grupeve paramilitare, ka marrë pjesë në dëbimin dhe shpërnguljen me dhunë të qytetarëve të Kamenicës me rrethinë, pastaj kanë filluar të bëjnë plaçkitjen e shtëpive, e më pas me qëllim të dëmtimit  të pronës së shqiptarëve i’a kanë vënë zjarrin, po ashtu kanë marrë pjesë në  keqtrajtimin e  civilëve shqiptarë”, thuhet në njoftim.

Aty thuhet se me këto veprime i pandehuri Z.A. ka kryer veprën penale “Krime lufte kundër popullatës civile’’ nga neni 142 lidhur me nenin 22 të LP të RSFJ-së.

/KosovaPress/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!