Aksioni i ujit të pijshëm/Mazniku: Nga 1 shkurt penalitete te forta

schedule14:58 - 26 Janar, 2018

schedule 14:58 - 26 Janar, 2018

Ata që nuk kanë formalizuar marrëdhëniet me ujësjellësin deri më 31 janar do të përballen me penalitete të forta. Nënkryetari i Bashkisë Arbjan Mazniku e deklaroi nga Paskuqani ku po vijon aksioni për ndërprerjen e lidhjeve të paligjshme.

Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës Arbjan Mazniku paralajmëroi penalitete të forta për ata që furnizohen me ujë përmes lidhjeve të paligjshme.

“Ftojmë qytetarët që deri në datën 31 janar të vetëdeklarojnë linja të tilla, në mënyrë që të kemi mundësi t’i riparojmë ato, sepse duke filluar nga data 1 shkurt, identifikimi i këtyre linjave dhe prerja e tyre do të ketë edhe penalitete shumë të forta gjatë të gjithë kundravajtësve”.

Mazniku bashkë me drejtorin e Përgjithshëm të ndërmarrjes së Ujësjellës-Kanalizimeve ishte në zonën e Paskuqanit, ndërsa nga tubacioni që furnizon me ujë të pijshëm rreth 30% të qytetit të Tiranës po ndërpriteshin lidhjet e paligjshme.

Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës kërkoi bashkëpunimin e qytetarëve për të raportuar për çdo problematikë apo rast të abuzimit me ujin e pijshëm.

“Nëse një qytetar ka informacion për një lidhje të tillë apo e ka bërë vetë një lidhje të tillë më përpara, të na informojë dhe do jemi shumë të gatshëm të gjendemi pranë. T’i ndërpresim këto lidhje dhe të ofrojmë mundësinë që ato të lidhen me një ujëmatës dhe një kontratë të ligjshme me ujësjellësin. Kjo është e vetmja mënyrë se si edhe qyteti të furnizohet me ujë siç duhet, por edhe qytetarët të marrin shërbimin e duhur”.

Ndërkohë që për shkak të fluksit të qytetarëve që kanë kërkuar të aplikojnë për kontratë të re me ujesjellesin, konsumatorët e interesuar për skemat lehtësuese për shlyerjen e detyrimeve sportelet e  UKT do të jenë të hapura nga ora 08:00 e mëngjesit deri në orën tetë të mbrëmjes nga e hëna në të shtunë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!