Aksioni i IKMT-së në Orikum, përplasje mes pronarëve dhe policisë

schedule13:45 - 30 Shtator, 2019

schedule 13:45 - 30 Shtator, 2019

Aksioni i IKMT për prishjen e disa objekteve pranë bregdetit në zonën e Orikumit është kundërshtuar nga banorët. Këta të fundit u përplasën me policinë për disa orë. Pronarët e objekteve që pritet të shemben, pretendojnë se aksioni është selektiv dhe se nuk kanë dijeni për projektin që prek pronat e tyre.

U duk sikur çdo gjë do shkonte mirë. Por tre orë pasi fadromat e IKMT kishin hedhur në tokë disa kashtore plazhi, nisi tensioni. Pronarët e bizneseve në Orikum bllokuan fadromën. Mjeti përfundoi në det dhe u rrethua nga një grup njerëzish të acaruar.

Forca të shumta policie dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë që ndodheshin në zonë mëngjesin e së hënës, ndërhynë për të shmangur konfliktin mes palëve. Kjo grua tha se nuk ishte në dijeni për shembjen e objektit të saj me të cilin ushqen fëmijët.

Ata kërkojnë të njihen me projektin dhe pretendojnë që IKMT po bën shembje selektive. Edhe kryetari i operatorëve turistikë në Vlorë Vasil Bediani doli në mbrojtje të pronarëve dhe familjarëve të tyre. Kur konflikti nisi të përshkallëzohej policia shoqëroi dy persona të cilët më pas i la të lirë. Por disa të tjerë morën fëmijët dhe u ulën në bregdet .

IKMT është shprehur se i ka njoftuar të gjithë banorët për këtë aksion. Në fillim të muajit Shtator, IKMT nisi prishjen e ndërtimeve në bregdet nga zona e Ujit të Ftohtë, aty ku është parashikuar projekti i Lungomare 2 që do të shtrihet deri në afërsi të tunelit në Vlorë./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!