Aksion policor në Veri të Kosovës, Mediat: Disa të arrestuar, 4 policë të plagosur

schedule11:20 - 28 Maj, 2019

schedule 11:20 - 28 Maj, 2019

Gjatë një operacioni policor të Policisë së Kosovës në veri të Mitrovicës, deri tani janë arrestuar disa zyrtarë policorë, si dhe disa qytetarë. Mediat në Kosovë raportuan për katër agjentë policie të plagosur gjatë aksionit të njësisë special Rosu në orët e para të së martës, por gjendja e tyre shëndetësore është jashtë rrezikut për jetën.

Sipas deklaratave të para të policisë së Kosovës, operacionit policor vjen pas hetimeve disa mujore të drejtuara nga Prokuroria Speciale e Kosovës, me dyshimin për përfshirjen e disa zyrtarëve policorë dhe të disa qytetarëve në veprimtari kriminale ‘pjesëmarrje ose organizim i grupit kriminal’ dhe vepra tjera të specifikuara.

Po ashtu gjatë operacionit, Policia ka sekuestruar materiale të ndryshme në cilësinë e provës si dhe armë.

Mediat serbe i kanë bërë jehonë këtyre arrestimeve duke publikuar disa pamje në të cilat thuhet se shihet momenti i zbarkimit të policëve të Kosovës, si dhe pamje nga arrestimet.

Lidhur me këtë aksion të Policisë së Kosovës, përveçse nga Kosova, ka pasur reagime edhe nga Serbia dhe KFOR-i.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në orët e para të mëngjesit ka mbledhur të gjitha strukturat e sigurisë në Kosovë. Kreu i shtetit u shpreh se Operacioni në tërë territorin e vendit, është në kuadër të luftës pa kompromis kundër krimit të organizuar.

Në zyrën e Thaçit janë parë duke hyrë drejtori i AKI-së, Shpend Maxhuni, Drejtori i Policisë dhe udhëheqës të institucioneve të drejtësisë.

Ndërkohë, kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj ka thënë se me urdhër të Prokurorit, në gjithë Kosovën u zhvillua  një operacion policorë, i drejtuar ndaj individëve të përfshirë në kontrabandë, krim të organizuar dhe vepra të tjera kriminale.

Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj ka thënë se si kryeministër i vendit, konfirmon se bëhet fjalë për zbatimin të ligjit dhe asgjë tjetër. Kreu i ekzekutivit u bëri apel serbëve në veri që të rujanë qetësinë. Ndërsa në një postim të dytë në profilin e tij në Facebook, ai i kërkoi Beogradit që të mos ndërhyjë në punët e brendshme të Kosovës.

Ndër reagimet e para ka qenë edhe ai i presidentit serb, Aleksandar Vuçic, i cili sipas mediave ka urdhëruar njësitë ushtarake të jenë në gjendje gatishmërie.

Sikurse Qeveria e Kosovës, edhe KFOR ka bërë të ditur se aksioni i Policisë së Kosovës në veri nuk është i drejtuar kundër serbëve, por kundër atyre që akuzohen për korrupsion dhe krime.

Në një deklaratë për mediat, KFOR bën të ditur se vazhdon të monitorojë situatën dhe është i gatshëm të ndërhyjë, nëse kërkohet si përgjegjës i tretë, në mënyrë që të garantojë sigurinë për të gjitha Komunitetet, në përputhje me mandatin e tij sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

/ABC news Albania 24/7