Aksion për të pastruar zonën turistike të Shëngjinit

schedule15:14 - 19 Gusht, 2019

schedule 15:14 - 19 Gusht, 2019

Bashkia e Lezhës ka nisur aksionin për të pastruar nga ndotja territorin e Shëngjinit . Aksioni nisi që në orët e para të mëngjesit dhe do të vazhdojë edhe ditët e ardhshme.

Zgjimi për vendorët e Lezhës ka qenë ndryshe. Pa zbardhur mirë e hëna ata zbarkuan rrugës së Shëngjinit. Pastrimi i saj ishte qëllimi i këtij aksioni drejtuar nga kryetari i ri i bashkisë Pjerin Ndreu.

Plastikë, inerte dhe mbetje të ndryshme u larguan nga pika të veçanta të kthyera në shqetësim. U kreh e gjithë gjatësia e rrugës për të mos mbetur asnjë.

Për t’u krijuar lehtësi lëvizjeje mjeteve u pre edhe bimësia anash rrugës. Në këtë ndërhyrje, Bashkia e Lezhës angazhoi Drejtorinë e Shërbimeve, firmat sipërmarrëse të pastrimit dhe firmën mirëmbajtëse të rrugës.

U përfshinë rreth 80 punonjës. Ndreu foli rreth një nevoje për të ndryshuar imazhin që duhet të shohë çdo vizitor e turist që udhëton drejt Shëngjinit. Për këtë kërkoi mbështetjen e qytetarëve e bizneseve.

“Ky nuk është një aksion që fillon sot dhe mbaron nesër, por fillon sot dhe nuk mbaron kurrë. Iu bëj thirrje të gjithë qytetarëve, të gjithë operatorëve të pastrimit, të gjitha bizneseve që të kontribuojnë kudo ku janë për pastrimin e qytetit. Sfida për pastrimin e qytetit nuk ndalet dhe nuk ka tolerancë”, tha Pjerin Ndreu, kryetar i Bashkisë Lezhë.

Pas rrugës së Shëngjinit, do të vijohet me pastrimin e të gjithë territorit dhe do të ushtrohen kontrolle për të identifikuar ndotësit.

Bashkia e Lezhës bën të ditur se ka identifikuar pikat problematike ku ka edhe prezencë të madhe të mbetjeve, kryesisht urbane dhe se me mbështetjen edhe të firmave sipërmarrëse të pastrimit ato do të fshihen nga harta e zonave të ndotura./ABC News Albania 24/7