Aksidentoi çiftin Konomi dhe foshnjen e tyre, burg për Ajas Sulejmanin, pamjet kokë ulur në Gjykatë

schedule10:50 - 12 Maj, 2022

schedule 10:50 - 12 Maj, 2022

Gjykata e ka lënë në burg Ajas Sulejmanin për aksidentin e ndodhur ditën e diel në rrugën e Kavajës, ku përplasi me “G Class” Arjan dhe Vilma Konomin bashkë me foshnjen e tyre 3 muajshe.

Me shpejtësi dhe me të kuqe, 39-vjeçar përplasi me makinë te vijat e bardha një familje. Pasi shkaktoi aksidentin,  braktisi aty mjetin me targa gjermane dhe u largua menjëherë.

3 orë pas aksidentit, në një spital privat po në Tiranë, u arrestua 39 vjeçari Ajas Sulejmani, i cili pretendonte se ishte larguar nga vendi i ngjarjes pasi në makinë kishte një tjetër fëmijë që ishte lënduar.

Por ky justifikim nuk i ka bindur policët, të cilët i kanë listuar atij tre vepra penale: “Shkelje e rregullave te qarkullimit rrugor”, “Largim nga vendi i aksidentit” dhe “Drejtim mjeti ne menyre te parregullt”.

Sipas njoftimit të uniformave blu, Ajas Sulejmani nuk është një emër i panjohur, jo vetëm për shkakun se kërkohej në SHBA ku akuzohet për trafik droge, por ai është ndëshkuar 8 herë nga efektivet e Komisariatit Rajonal të Policisë Rrugore Tiranë, nga të cilat disa herë për shkelje të sinjalizimit rrugor, shkelje semafori dhe mospërdorim të rripit të sigurimit.

Gjendja e familjes Konomi

Arjan dhe Vilma Konomi ndodhen në repartin e trajtimit intensive në Spitalin e Traumës. Bashkëshorti rezulton të ketë pësuar dëmtimet më të mëdha pasi ka thyerje në legen si edhe fraktura të rënda në këmbë.

Bashkëshortja, Vilma ka pësuar hemorragji të brendshme për shkak të përplasjes nga mjeti luksoz i Ajas Sulejmanit. Makina përplasi edhe karrocën e foshnjës tremuajshe të çiftit Konomi, e cila doli nga spitali me vetëm disa dëmtime më të lehta. Arjani dhe Vilma ishin bërë prindër pas 20 vitesh martesë.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!