Aksidentohet familja që po shkonte për pushime në Sarandë

schedule10:39 - 15 Korrik, 2019

schedule 10:39 - 15 Korrik, 2019

Shtatë persona, 6 prej të cilëve pjesëtarë të së njëjtës familje kanë mbetur të plagosur në një aksident rrugor në aksin Gjirokastër-Kakavijë. Mësohet se dy automjete tip “Benz” janë përplasur me njëra-tjetrën pranë fshatit Derviçan dhe shkak është bërë një parakalim i gabuar.

Një automjet tip “Benz” ku udhëtonin pjesëtarë të së njëjtës familje u përplas me një mjet tjetër në aksin Gjirokastër-Kakavijë. Aksidenti ndodhi mëngjesin e së hënës pranë fshatit Derviçan.

Në fuoristradën ku ndodheshin gjashtë persona në tentativë për të parakaluar ka goditur një makinë që vinte përballë. Për pasojë, makina që po ikte në Sarandë doli nga rruga dhe përfundoi në kanal. Të gjithë personat që ishin në mjet mbetën të plagosur. Edhe drejtuesi i mjetit tjetër që u përfshi në aksident mbeti i lënduar.

Të dëmtuarit ndodhen nën kujdesin e mjekëve në Spitalin Rajonal të Gjirokastrës dhe nuk kanë rrezik për jetën. Të plagosurit janë Romina Turkaj, Renato Turkaj, Vjollca Pitja, Agron Pitja, Klaus Turkaj, Ana Turkaj dhe Kristaq Kola.

Dyshohet se shkak për aksidentin të jetë bërë mjeti ku udhëtonte familja që po shkonte për pushime në Sarandë, i cili është futur në parakalim të gabuar. Aksi Gjirokastër-Kakavijë përballet me një fluks të madh automjetesh gjatë sezonit veror për shkak të pushuesve të cilët frekuentojnë plazhet e jugut./

ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!