Aksidenti me dy viktima në Porcelan, nipërit e të moshuarës: Ishte nisur për tek djali i saj

schedule17:32 - 3 Janar, 2020

schedule 17:32 - 3 Janar, 2020

Një ditë pas aksidentit të rëndë me dy viktima në zonën e Porcelanit në Tiranë, nipërit e të moshuarës që humbi jetën, thonë se e afërmja e tyre ishte nisur për vizitë tek djali.

Dyshohet se shkak i aksidentit kanë qenë shpejtësia e njërit mjet dhe parakalimi i gabuar nga shoferi tjetër. Të dy drejtuesit e mjeteve të arrestuar për aksidentin kanë pranuar fajin.

Ishte nisur për një vizitë tek djali, por humbi jetën pa përshkuar gjysmën e rrugës.

Bëhet fjalë për Hidajete Salliun e cila bashkë me Erion Ballën gjetën vdekjen nga përplasja e dy automjeteve në rrugën “Xhanfize Keko” në Tiranë ndërkohë që po ecnin në trotuar.

Një dite pas ngjarjes në vendin ku ndodhi aksidenti takuam dy nipat e 73 vjeçares.

Ndërsa sheh pamjet e regjistruara nga kamerat e sigurisë, shfaqur në media, nipi i të moshuarës  ka një thirrjë për të gjithë drejtuesit e automjeteve.

Shkak i aksidentit sipas policisë ka qenë shpejtësia me të cilën makina tip Wolkswagen Beetle me drejtues Etjon Lazri lëvizte nga zona e Porcelanit në drejtim të sheshit “Shtraus”.

Po ashtu automjeti tip Wolkswagen  Golf 6 drejtuar nga Edmond Murati ka bërë një manovër të gabuar për të hyrë në rrugë dytësore, duke i prerë rrugën makinës së Lazrit.

36 vjeçari Murati dhe 31 vjeçari Lazri u vunë nën prangat e uniformave blu pak pas ngjarjes.

Burime nga Policia i thanë ABC News se të dy të arrestuarit kanë pranuar fajin  ndërkohë që nuk mbajnë mend saktësisht çastin e aksidentit.

Etjon Lazri para efektivëve ka deklaruar se ka qenë me shpejtësi, është përpjekur të devijojë rrugën, por nuk ka arritur të shmanget.

Ndërsa Edmond Murati ka treguar se ka tentuar të parakalojë, por për shkak të shpejtësisë së automjetit që vinte pas tij nuk ka arritur t’i shpëtojë përplasjes. /abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!