Një aksident me dy mjete lundruese Jet Ski ka ndodhur në liqenin e Kukësit, rreth orës 18:15.
Sipas policisë, një 29-vjeçar, duke drejtuar një Jet Ski ku ndodhej edhe një 46-vjeçar, është përplasur aksidentalisht me një tjetër mjet lundrues që po drejtohej drejt bregut për t’u ankoruar.
Si pasojë e përplasjes, kanë mbetur të dëmtuar lehtë drejtuesi i njërit prej mjeteve dhe pasagjeri që ndodhej me të. Të dy janë dërguar në spitalin e Prizrenit dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Policia ka sekuestruar dy mjetet lundruese, ndërsa grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit.
Për rastin, drejtuesi 29-vjeçar është proceduar penalisht për veprën penale “Plagosja e lehtë nga pakujdesia”.


