Zërat e merkatos në Superiore nuk shuhen. Te Partizani pritet që lëvizjet do të jenë të shumta, por fillimisht duhet zgjedhur trajneri i ri. Ilir Daja është në “pole”, por sikurse kemi raportuar edhe më parë, Mirel Josa gjithashtu është nëj opsion për të pasuar italianin Adolfo Sormani.
Në kampin e kuq, nga Skënderbeun nuk duan të marrin vetëm Dajën. “Panorama Sport” raporton se në listën e objektivave është edhe mesfushori Asion Daja, për të cilin kalimi te Partizani do të ishte një rikthim. Gjithashtu edhe Bruno Dita kërkohet me ngulm.
Mesfushorit i përfundon kontrata me Skënderbeun, por nga informacionet tona ka një marrëveshje me Shkëndijën. Madje të firmosur. Kështu, Dita mund të mbetet një dëshirë për Partizanin, ku tifozët nuk është se do e prisnin mirë, për shkak të përplasjeve që në të shkuarën kanë pasur me të, në stadium apo edhe në rrjetet sociale.
TIRANA – Në kampin bardheblu janë në kërkim të një portieri dhe të një mbrojtësi të djathtë. Ilion Lika sigurisht që po e mendon pensionimin dhe te Tirana po kujdesen që të gjejnë një pasues të denjë për të. E përditshmja sportive raporton se Visar Bekaj është objektiv i Tiranës.
Portieri i Prishtinës nuk ishte në fushë kundër Dritës, kur edhe presidenti Refik Halili ishte në stadium. Drejtuesit e bardhebluve, gjithsesi kanë parë nga afër mbrojtësin e djathtë, Armend Thaçi. Në të shkuarën ai është tentuar edhe nga Partizani e Kukësi dhe klubi kryeqytetas po e mendon si opsion për të zëvendësuar Albi Dokën, që do të transferohet në Kroaci. /abcnews.al