Aksi Klos-Burrel, Gjiknuri: Komuniteti do të ketë përfitime ekonomike

schedule19:28 - 13 Tetor, 2018

schedule 19:28 - 13 Tetor, 2018

Aksi rrugor Klos-Burrel do ti nënshtrohet një rikonstruksioni të plotë. Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri, i pranishëm në nisjen e punimeve tha se me rehabilitimin e rrugës banorët do të kenë përfitime dhe do të ndikojë pozitivisht në ekonominë shqiptare.

Nis puna për rehabilitimin e segmentit rrugor Burrel-Klos. Investimi në segmentin me gjatësi 18.6 km do të jetë në vlerën 3.7 milionë eurove. Projekti parashikon rehabilitimin e plotë të aksit rrugor. Për të inspektuar punimet nga afër ishte edhe ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri. Ai tha se ka gati mbi 20 vjet që në këtë segment nuk është bërë asnjë investim.

Damian Gjiknuri, ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë: “Për herë të parë po bëhet një rikonstruksion i thellë i gjithë kësaj rruge dhe realisht kjo ka qenë nga nyjet shumë të rëndësishme për ekonominë shqiptare, sepse ka edhe transportin e mallrave sidomos nga pjesa e Bulqizës drejt uzinës së Burrelit apo drejt portit të Durrësit. Nga pikëpamja strategjike kjo është një nga rrugët e rëndësishme që meritonte ndërhyrje me kohë. Ky investim serioz do ta ndihmojë shumë bashkinë e Klosit dhe bashkia e Klosit ka edhe një fat sepse me përfundimin e rrugës së Arbrit dhe me këtë lidhje të re në drejtim të Burrelit do të jetë një bashki që do të ketë një akses të jashtëzakonshëm në të gjitha drejtimet e Shqipërisë dhe komuniteti këtu do të ndjej përfitimet ekonomike”.

Ministri Gjiknuri ka edhe një përgjigje për të gjithë skeptikët që mendojnë se qeveria e ka harruar këte krahinë.

“Ne ironikisht hodhëm poshtë edhe skeptikët apo kritikët që para ca kohësh na thonin që e paskemi harruar këtë krahinë. Fatmirësisht ne për herë të parë po bëjmë një investim serioz në infrastrukturën rrugore që këtu e kanë pritur prej shumë e shumë vitesh. Unë ju uroj sukses dhe përfundim të shpejtë.”/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!