“Akoma pyetet çfarë ka dashur të thotë autori,” studiuesit: Gjuhësia shqiptare, institucioni i vetëm i pa dekomunistizuar

schedule14:05 - 4 Korrik, 2022

schedule 14:05 - 4 Korrik, 2022

Nga 29 731 maturantë pjesëmarrës në testim e Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë, vetëm katër prej tyre kanë arritur të marrin notën maksimale, 10. Për Ledi Shamku-Shkrelin dhe Nebi Bardhoshin nga Akademia e Studimeve Albanalogjike ky është një lajm i keq që në fakt pritej.

Kjo pasi sipas tyre, sistemi dhe kurrikulat aktuale kanë shumë mangësi të cilat duhet të rregullohen. Zonja Shkreli shprehet se në Letërsi, sistemi arsimor në vend ndodhet në stadin që ishte në vitet ’60 ku pyetja kryesore vijon të mbetet “çfarë ka dashur të thotë autori”.

Gjuhësia shqiptare, sipas saj, është institucioni i vetëm i pa dekomunistizuar ende.

“Është për t’u riformuar, për të shpëtuar nga ideologjia…”

Kurse për Nebi Bardhoshin, katër dhjetat nuk janë shqetësuese. Për të, shqetësuese do të ishte nëse nuk do të kishte asnjë dhjetë.

“Është një vlerësim që duhet ta analizojnë ata që kanë hartuar tekstet, se ku kanë kërkuar shumë.”

Dy studiuesit thonë se një numër i madh pyetjesh duhen shtruar për të shkruar drejt ndryshimit të sistemit.

“A është menduar, a po mendohet çfarë gjuhësie e letërsie, zhvillohen në shkollë të mesme? Apo shkojmë drejt një programi që hap shoqërinë, apo është një shkollë që do t’i dëshmojë studentit që nuk di. Dhe të ndihet keq prej godinës? Shkolla duhet të punojë shumë për këto sfida.”

Por çfarë mund të bëhet konkretisht për të ndryshuar qasjen ndaj gjuhësisë dhe letërsisë në shkollat fillore dhe ato të mesme? Ledi Shamku-Shkreli  thotë se Akademia e Studimeve Albanalogjike nuk duhet të mjaftohet me studimin elitar, por duhet të prekë edhe shqetësime konkrete siç mund të jetë ai i gjuhës dhe gjuhësisë.

Sipas saj, mundësitë janë, dhe Akademia ka tagrin dhe dëshirën për ta marrë përsipër këtë çështje.

“Mundësinë për të ofruar një program hartimi tekstesh, që të vijë me një qasje tjetër ndaj dijeve kombëtare. Një marrëdhënie të re me mësuesit, Akademia ka tagrin dhe mundësinë dhe dëshirën që të jetë pjesë e ofertës të programeve të reja, por që edhe këto programe të bëhen në një dialog intensiv me mësuesit. Duam një dialog aktiv me MASH.” /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!