Akademia e Shkencave, dedikim Ismail Qemalit për 100-vjetorin e vdekjes

schedule18:28 - 12 Janar, 2019

schedule 18:28 - 12 Janar, 2019

Akademia e Shkencave ngre një grup pune për të nderuar themeluesin e shtetit shqiptar Ismail Qemalin për 100-vjetorin e vdekjes. Anëtari i Akademisë, Myzafer Korkuti, thotë se përgjatë këtij viti do të zhvillohen një sërë aktivitetesh për Ismail Qemalin.

Asambleja e Akademisë së Shkencave në mbledhjen e saj ka marrë vendimin për ngritjen e një grupi pune, për të realizuar disa aktivitete për nderimin e figurës së Ismail Qemalit në kuadër të 100-vjetorit të vdekjes së tij. Anëtari i Akademisë dhe ish-kryetari i këtij institucioni, Myzafer Korkuti thotë se Akademia do të bashkëpunojë me institucionet e tjera për realizimin e një konference shkencore, ku do të pasqyrohet e plotë figura e themeluesit të shtetit shqiptar në këtë përvjetor.

Korkuti është i mendimit se në këtë vit duhet të realizuar edhe një konkurs për realizimin e një shtatorje  për Ismail Qemalin, por kujtojmë se edhe për festimet e 100-vjetorit të pavarësisë u organizua një konkurs dhe veprat e paraqitura u vlerësuan si të parealizuara nga juria, ndaj u vendos që shtatorja e Ismail Qemalit, e cila ndodhej në muzeun Historik Komëbtar të vendosej në sheshin afër presidencës.

Krahas Akademisë së Shkencave edhe Muzeu Historik Kombëtar ka deklaruar më herët se ky vit do t’i kushtohet figurës së Ismail Qemalit, i cili ka qenë firmëtari i parë i aktit të pavarësisë. /abcnews.al