Diskutimet mbi projektbuxhetin 2019 vijuan dhe gjatë ditës së sotme në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë, ku ministri Ahmetaj rekomandoi zero përjashtime nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar.
Pas diskutimit javën e kaluar në parim të projektbuxhetit për vitin e ardhshëm, Ministri i Ekonomisë dhe Financave Arben Ahmetaj prezantoi parimisht të ardhurat e projektbuxhetit 2019. Sipas këndvështrimit të tij, risku më i madh ndaj të ardhurave, përpos atyre që bazohen mbi faktorë të jashtëm si ekonomia europiane, është zhbërja e kuadrit fiskal për shkak të performancës së mirë.
“Sepse qeveritë kanë tendenca të relaksiojnë kuadratin fiskal në logjikën politike dhe ekonomike dhe të zgjerojnë paketat sociale, kjo duhet të ketë balancë, ky është risku më i madh”.
Tatimi mbi vlerën e shtuar është burimi më i mirë i të ardhurave që derdhen në buxhetin e shtetit, deklaron Ahmetaj duke rekomanduar zerro përjashtime nga kjo taksë, nisur edhe nga kostot e shkaktuara në buxhetin e shtetit nga ulja e taksave, sipas tij.
“Kemi ulur një masë të madhe taksash, vetëm nga të ardhurat personale janë 120 milion dollarë që nuk shkojnë në buxhet të shtetit por në xhepat e qytetarëve”.
Pavarësisht goditjes së marrë nga kursi i këmbimit dhe uljes se rritjes ekonomike në 6.6%, gjithcçka është brenda kuadrit dhe parashikimeve, thekson Ahmetaj.
“Vetëm TVSH për shkak të kursit të këmbimit na godet 9 miliardë, ndërkohë që vetëm nga lojrat e fatit ke gati 1 miliard minus, plus uljen e taksave e megjithatë do jetë 7.5 deri ne 8 është rekord në vite”.
55% e të punësuarve në Shqipëri kanë zero ndikim në tatimin e të ardhurave sipas raportit të Ministrisë, gjë për të cilën Ahmetaj pranoi se ka boll hapësirë për përmirësim në zhdukjen e informalitetit. /abcnews.al