Agresioni rus, Kryqi i Kuq dënon sulmin që vrau tre punëtorë të tij në Donetsk

schedule21:57 - 12 Shtator, 2024

schedule 21:57 - 12 Shtator, 2024

Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq ka dënuar sulmin që vrau tre punëtorë të tij të cilët po shpërndanin ndihma në vijën e frontit në rajonin ukrainas të Donjeckut.

Zyrtarët e Presidencës ukrainase më herët thanë se forcat ruse kanë sulmuar makina të Kryqit të Kuq përmes sulmeve me artileri, që po ashtu kanë lënë të plagosur dy punëtorë të kësaj organizate të ndihmës.

“Edhe një krim lufte i Rusisë. Sot, pushtuesit sulmuan makinat e misionit humanitar të Kryqit të Kuq në rajonin e Donjeckut”, tha presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, në X. “Në këtë luftë, gjithçka është e qartë: Rusia mbjell ligësi, Ukraina mbron jetën”.

Miryjana Spoljaric, presidente e Kryqit të Kuq, dënoi sulmin përmes një deklarate të publikuar më 12 shtator. Ajo konfirmoi se tre punëtorë të organizatës janë vrarë pasi granatat goditën vendin në vijën e frontit, që ishte caktuar për shpërndarjen e ndihmave në rajonin e Donjeckut.

“I dënoj fuqishëm sulmet ndaj personelit të Kryqit të Kuq”, shkroi Spoljaric në X. “Është e paimagjinueshme që granatat të godasin pikën e shpërndarjes të ndihmave”, shtoi ajo.

Kryqi i Kuq tha se ekipet e tij kanë prani të rregullt në rajonin e Donjeckut dhe makinat e organizatës kanë emblemën e Kryqit të Kuq.

Më herët, guvernatori i Donjeckut, Vadym Filashkin, raportoi se tre persona u vranë dhe dy u plagosën në fshatin Viroljubivka. Ai tha se ky fshat u sulmua me artileri dhe një makinë e një organizate humanitare u shkatërrua. /rel

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!