Agjërimi për shumë besimtarë është një akt përkushtimi dhe force shpirtërore. Por për disa, si Rejhana Shpendi, ai ka qenë edhe një sfidë e jetuar në heshtje, në një kohë kur feja ishte e ndaluar në Shqipëria.
Me origjinë nga Ulqini dhe e rritur në Tiranë, Rejhana rrëfen një jetë të lidhur me agjërimin.
“Në total kam 40 vite që agjëroj”.
Ndonëse kohë e vështirë, ajo tregon se fëmijëria e saj është e mbushur me kujtime të veçanta nga ajo periudhë.
“Ishim të vegjël e mbanim me orë të reduktuara. Sa ndizeshin dritat në xhami, shkonim me vrap që ta çelnim. Vraponim te rruga e Kavajës sa shihnim dritat ndezur. E bënim në fshehtësi se kishim frikë nga sistemi komunist”.
Frika ishte gjithmonë e pranishme, edhe në gjërat më të vogla. Megjithatë, ajo kohë mbart edhe një ndjenjë të veçantë që sot, sipas saj, mungon.
“Kisha marr një biskotë me vete, sa për ta prishur. Ma pa një shoqe dhe më tha a ke agjëruar. Pra i ruheshe asaj frikës. Ka pasur atë bukurinë e vetë ajo fshehtësia. Se tani është diçka normale, dhe është ndjesi tjetër”.
Rejhana është rritur në një familje me pesë anëtarë, ku besimi ishte pjesë e përditshmërisë, edhe pse i fshehur nga sytë e të tjerëve.
“Unë i kam pasur të dy prindërit besimtarë. Babai na ka tërhequr. E ka ndjekur në mënyrë të fshehtë. Kur agjëronte, mbyllte dritaret që mos ta shihnin. Falej vetëm, pa asnjë njeri. Na merrte dhe na tërhiqte që të faleshim”.
Sot, në moshën 75-vjeçare, ajo sheh me optimizëm brezin e ri që gjithnjë e më shumë po e praktikojnë fenë.
“Që rinia ka hyrë në islam është kënaqësi e madhe. Kur vijnë këtu në foltore, i përqafoj dhe i përgëzoj. Pas një muaji sakrifice dhe përkushtimi, besimtarët myslimanë në Shqipëria dhe në mbarë botën festojnë këtë të premte Fitër Bajrami, festën që shënon përfundimin e muajit të shenjtë të Ramazani”.


