Agjencia për Mediat, gazetarët: Centralizim i informacionit, shton monitorimin e pakëson kritikët

schedule13:25 - 21 Shtator, 2021

schedule 13:25 - 21 Shtator, 2021

Në mbledhjen e parë të kabinetit “Rama 3” u njoftua krijimi i Agjencisë për Median dhe Informimin. Kjo agjenci, që do të ketë varësi direkte nga kryeministri, konsiderohet prej specialistëve të fushës jo vetëm si zyrë që do të bëjë propagandën e qeverisë por dhe do të shtojë kontrollin ndaj mediave.

Në një diskutim të zhvilluar në “ABC Live” më Juli Xhokaxhi, të ftuarit në studio u shprehën se kjo agjenci në një farë mënyrë legalizon atë që deri më tani ishte bërë ilegalisht. Sipas gazetarëve, kjo agjenci do të monitorojë me paratë e taksapaguesve shqiptarë punën e gazetarëve dhe zërat kritikë.

Analisti Aleksandër Çipa u shpreh se tashmë do të kemi centralizim të informacionit që duhet të vijë nga të gjitha nivelet e adminstratës.

“Duhet të kemi drojen për atë që do të sjellë si pasojë. Ky është formalizim i asaj që është bërë në mënyra të tjera. Centralizimi i informacionit që duhet të vijë  prej të gjitha nivele të administratës. Nuk duhet ta ngatërrojmë procesin e monitorimit… Ka penalizim, pakënaqësitë do të reflektohet në politika edituese dhe redaksionale. Punonjësit e kësaj agjencie nuk do të kenë statusin e nëpunësit civil, po çfarë statusi do të kenë?”

Ndërsa, Koloreto Cukali theksoi edhe një herë që Agjencia për Median dhe Informimin do të centralizojë informacionin, ndërsa shtoi se kjo është një shkallë më shumë në vendosjen e censurës. Për gazetarin Bledian Koka shqetësimi kryesor duhet të jetë për portalet dhe blogjet, apo struktura të tjera që janë aktualisht jashtë kontrollit të qeverisë.

“Një lloj grupi sulmi qeveritar, të paguar me taksat tona për të na e mbyllur gojën ne.”

Gazetaria e ABC, Esiona Konomi ngriti shqetësimin se tashmë për të dhe kolegë të saj do të jenë të disponueshëm gjithnjë e më pak zëra kritikë për të folur.

“Do të ngushtohet numri i atyre që do të dalin të flasin pa leje. Do të ketë gjithnjë e më pak zëra kritikë.”

Por si duhet të reagojnë mediat në këtë rast? Gazetarët dhe analistët në studio u shprehën se e vetmja formë është bashkimi i mediave dhe gazetarëve në një zë për të bërë rezistencë, pasi “dëmi në term afatgjatë i bëhet vetë medias.” /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!