Agjencia e OKB-së për motin: Vitit 2023, më i nxehti në histori

schedule23:19 - 30 Nëntor, 2023

schedule 23:19 - 30 Nëntor, 2023

Agjencia e OKB-së për motin njoftoi të enjten se viti 2023 është viti më i nxehtë i regjistruar ndonjëherë ndërsa paralajmëron se ka shenja shqetësuese që sugjerojnë rritje të përmbytjeve, zjarreve, shkrirjes së akullnajave dhe valëve të të nxehtit në të ardhmen.

Organizata Botërore Meteorologjike (OBM) paralajmëroi gjithashtu se temperatura mesatare për këtë vit është rritur rreth 1.4 gradë Celsius krahasuar me kohërat para revolucionit industrial, shkruan VOA. Rritja e regjistruar e temperaturave për këtë vit është vetëm një e dhjeta e kufirit të përcaktuar për deri në fund të shekullit nga Konferenca e Parisit mbi mjedisin, e mbajtur më 2015.

Sekretari i Përgjithshëm i OBM-së thotë se fillimi i dukurisë ‘El Nino’ në fillim të këtij viti, fenomeni i motit që ndikohet nga ngrohja në Oqeanin Paqësor, mund ta çojë temperaturën mesatare vitin e ardhshëm mbi kufirin e synuar prej 1.5 gradë Celcius, kufi ky gjithashtu i përcaktuar në Paris.

“Është e sigurt se gjatë katër viteve të ardhshme do ta arrijmë këtë rritje prej 1.5 gradë Celcius, të paktën në baza të përkohshme”, thotë Petter Taalas, Sekretari i Pëergjithshëm i OBM-së gjatë një interviste.

“Në dekadën e ardhshme ne do të jemi në atë nivel në një bazë të përhershme.”