Agim Sulaj: Valixhja që nuk mund ta humbim në jetën tonë

schedule08:55 - 17 Mars, 2022

schedule 08:55 - 17 Mars, 2022

“Erdha në Tiranë për një ekspozitë me kolegë të tjerë Europianë, ku kisha projektuar një homazh për karikaturistin e famshëm ukrainas,  Yuri Kosobukin, pa menduar se vendi i tij do të gjendej në mesin e luftës Rusi-Ukrainë”.

Kështu u shpreh në “Refleksione” në ABC  karikaturisti dhe piktori shqiptar, Agim Sulaj, i njohur për punët e tij dhe si fitues i shumë titujve ndërkombëtarë, përfshi dy herë edhe atë që njihet si “Oscar i karikaturës”, që është çmimi “Grand Prix Aydin Dogan Stamboll”.

Në të njëjtën ekspozitë që u hap pak ditë më parë në Tiranë, me titullin “Eurohumor”  ishin edhe punimet e dy ukrainasve të tjerë, Vladimir Kazanevski  dhe Oleg Draçakov. Madje, një nga temat ishte edhe një punim i tij, “Lufta dhe paqja”, janë dy persona që i falin njëri-tjetrit pëllumb në kafaz. “Duket se Zoti na çoi që t’i përgjigjeshim asaj që po ndodhte, duke i lënë një sallë në mes të kryeqytetit”, tha Sulaj.

Ndërkaq, ai i është kthyer edhe simbolikës më të madhe të punës së tij, “Valixhes”. Sulaj u shpreh se valixhen e kishte pasur brenda vetes së tij përpara se të largohej. Madje dhe punët e tij të para, që përpara vitit 1990, kanë qenë me valixhe. ” Nuk ishin rroba brenda valixhes, por ishin mbresa, histori, puna dhe miqtë e mi”, tha Sulaj. Ai ka rrëfyer në “Refleksione” se si gradualisht valixhja u bë simbol i punës së tij.

“Nisa ta vishja karikaturën me detaje të tjera, duke e bërë më të çmuar jo vetëm për mua. Në fakt, unë mendoj se çdo çmim i imi kishte pjesë nga karikaturistët e Hostenit, më të cilët kisha nisur udhëtimin tim. Unë nuk kam nevojë të flas, por kanë folur imazhet e mia”, tha Sulaj, duke kujtuar edhe karikaturistë të tjerë si, Ligori, Bumçi, Kapexhiu, Devole, Çakuli, Nikolla, që kanë punuar në revistën “Hosteni”. Sipas Sulajt, Fëmijëria, Emigrimi, Lufta dhe Paqja kanë qenë tre temat që e kanë tërhequr në punët e tij.

Duke rrëfyer edhe lidhur me hezitimin që kanë shumë ndjekës të artit për karikaturën, ai shpjegoi se, karikatura nuk merret kurrë me defektet fizike, por me defektet e të menduarit apo mungesat shpirtërore. “Karikatura merret me fenomene sociale dhe tenton të përmirësojë anët negative. Shumë karikatura të mia, që merreshin me burokratët – pra dëshira e njeriut që kërkon të arrijë sa më parë në poltron- mbeten edhe sot, pasi kudo e gjen njeriun që nxiton drejt kolltukut, drejt karriges së pushtetit. Edhe kur pema në karikaturat e mia pritet, ajo çan qiellin, sepse merr nga oksigjeni ynë, merr nga qielli ynë”, ka shpjeguar Sulaj në “Refleksione”.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!