Vllaznia humbi 0-1 në “Loro Boriçi” mbrëmjen e kaluar kundër AEL Limassol (fitoi edhe ndeshjen e parë 1-0), rezultat që solli eliminimin e nënkampionëve të Shqipërisë nga Conference League.
Mbrojtësi i kuqebluve, Mevlan Adili pranon verdiktin e fushës në prononcimin për mediet, falënderon shokët e skuadrës, uron kundërshtarët nga Qipro dhe e mbyll fjalën e tij me një batutë.
“Mendoj që mund të bënim më mirë, por dua të falënderoj të gjithë ata që ishin të pranishëm. Dua t’u them faleminderit dhe ju lumtë çunave, për gjithçka që treguam gjatë vitit. Mendoj se ishte një vit shumë i suksesshëm.
Mendoj se çfarëdo që të ndodhte sonte (dje), edhe pse ndodhi më e keqja se nuk u kualifikuam, i falënderoj çunat dhe jam shumë i lumtur që jam pjesë e këtij ekipi.
Problemi është që nuk jemi në Shqipëri, por në Conference League. Këtu maten forcat. Vllaznia ka kohë që nuk ka dalë në Kupat Evropiane, mendoj se kemi bërë më shumë se maksimumin.
Ekipet treguan se janë shumë të fortë fizikisht, duhet përqendrim maksimal që të mos pësosh dhe po është e mundur të mos humbësh, por më e rëndësishmja është të mbrosh golin.
Ju lumtë edhe ekipit kundërshtar, u urojmë suksese në raundin tjetër. Do arrijë Vllaznia të mbajë të njëjtën performancë edhe në sezonin tjetër? Nuk e di, t’ia lejmë kohës.
Adili pak nevrik në lojë? Unë mendoj se edhe të luaj kundër babait tim do të jem nevrik, pasi dua të fitoj dhe jo të humbas“, përfundoi mbrojtësi i ekipit shkodran. /abcnews.al