Abuzimet seksuale me të miturit, Pulaha: Vendet ku abuzohet më shumë shtëpia dhe shkolla

schedule13:17 - 25 Prill, 2020

schedule 13:17 - 25 Prill, 2020

Duke  marrë shkas nga ngjarjet e fundit të regjistruara në Sarandë dhe ditën e sotme në Fier, në studio me gazetaren Suela Demiri ishte i ftuar Klaudio Pulaha, nga qendra për mbrojtjen e fëmijëve i cili foli për të tjera detaje të rasteve të tilla.

“Nuk është rasti i vetëm në fakt i dhunës seksuale tek fëmijët. Ne në fakt jemi duke e ndjekur dhe jemi duke dhënë ndihmën psikologjike në rastin e Sarandës. Përgjatë vitit 2019 dhe muajve të parë të vitit 2020 kemi patur 16 raste të cilat janë trajtuar nga qendra jonë të cilët kanë qenë fëmijë dhe të mitur, të moshës deri në moshën 18 vjeç, dhe dy të tjerë të moshës 19 vjec”, tha Pulaha.

Në bisedën e tij në ABC News, Pulaha tha se është shqetësues fakti se shumë fëmijë apo të mitur nuk denoncojnë për arsye të ndryshme edhe pse për këtë kategori funksionon Linja kombëtare e këshillimit e cila ka vendosur në dispozicion numrat 116 dhe 111.

“Nga rastet që kemi raportuar si të dhunuar seksualisht kemi parë që shkolla dhe shtëpia janë vendet më të pasigurta, pikërisht aty ku dhe besimi i njerëzve është më i madh. Në 25 % të rasteve që kemi patur fëmijët janë dhunuar nga baballarët ose njerku dhe nga mësuesit e tyre. Duhet bërë shumë kujdes në këto ambiente, dhe dua ti inkurajoj të gjithë ata që kanë një problematikë të tillë të denoncojnë në numrat 116 dhe 111, janë psikologë dhe punonjës social që u vijnë në ndihmë këtyre fëmijëve”.

Për sa i përket rastit të vajzës së abuzuar në Sarandë, Pulaha tha se vajza nuk ka gjetur së pari mbështetjen e prindërve për të denoncuar abuzuesit e saj.

“Në rastin në fjalë ka rezultuar se faktorët mbetet gjendja ekonomike. Vajza nuk ka gjetur mbështetje familjare dhe është një nga arsyet që ka bërë që ky rast të mos denoncohet dhe të vazhdojë abuzimi prej vitesh”.

Me sa duket situata e koronavirusit në vend ka bërë që të dalin në pah edhe më tepër problemet që mund të kenë familjet shqiptare sidomos me dhunën dhe abuzimin ndaj fëmijëve.

Në lidhje me këtë cështje Pulaha tha se vetëm gjatë muajit mars dhe fillim të muajit prill, në linjën kombëtare kanë telefonuar 117 fëmijë të cilët kanë kërkuar ndihmën e punonjësve social dhe psikologëve që përgjigjen aty.

“Nëse i referohemi Alo 116, kemi patur gjatë muajit mars dhe fillimit të muajit prill 117 fëmijë të cilët kanë telefonuar pranë linjës kombëtare të këshillimit dhe kanë folur me punonjësit social dhe psikologët që përgjigjen aty”./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!