Abrashi rikthehet në fushë: Humbje që dhemb shumë, të reagojmë shpejt

schedule14:16 - 6 Prill, 2021

schedule 14:16 - 6 Prill, 2021

Mesfushori i kombëtares, Amir Abrashi, u kthye më në fund nga dëmtimi dhe luajti për Baselin në Superligën e Zvicrës. Shqiptari i Kosovës shpreson të jetë pjesë e ekipit përfaqësues në ndeshjet e ardhshme të Kupës së Botës

Me shumë gjasë ka qenë sezoni më i keq i karrierës. Amir Abrashit nuk i ka ndodhur kurrë kështu që kur nisi futbollin në vitin 2006, ndërsa më në fund e bëri rikthimin.

Pasi u detyrua të priste disa muaj, mesfushori i kombëtares shqiptare kaloi dëmtimin dhe luajti titullar në ndeshjen që Basel humbi 1-2 në fushën e tij ndaj Vaduz.

Nuk ishte një ditë e mirë për të festuar kthimin në fushë, por gjithsesi shqiptari nga Kosova shpreson që këtej e tutje të ketë më shumë fat.

“Një humbje që dhemb shumë, – u shpreh ai më pas, – humbëm 1-2 për shkak të dy goditjeve nga këndi. Nuk kam fjalë. Gjithsesi, është faji ynë sepse nuk luajtëm siç duhet dhe u mundëm nga një ekip që është ngjitur këtë vit në Superligë. Jam i lumtur që u ktheva në fushë, por tepër i mërzitur për humbjen. Duhet të reagojmë”.

Mesfushori 31-vjeçar nuk i ka pasur mirë punët dhe ka luajtur vetëm 2 ndeshje për Baselin. Fillimisht, në 31 janar të këtij viti në barazimin 2-2 me Luganon në shtëpi dhe tani në humbjen kundër Vaduzit.

I njëjti fat edhe në Bundesligën gjermane, ku ishte me Freiburg dhe luajti vetëm pak minuta, ndërsa u dëmtua në ndeshjen e humbur 1-2 në “Allianz Arena” të Munihut ndaj Bayern.

Abrashi prej vitit  2008 është aktivizuar kryesisht në Zvicër dhe në Gjermani, ku ka provuar Bundesliga dhe Bundesliga 2. Ai ka 330 ndeshje në karrierë, gati 25 000 minuta, me 22 gola e 17 asistë. Mungesa e Abrashit ndihet në kombëtare, pavarësisht moshës 31-vjeçare.

Mesfushori nga Kosova është një nga lojtarët më luftarakë në përfaqësuese, dhe jo më kot ka nofkën “pitbulli”. Shpresohet që ai të mos ketë dëmtime për ndeshjet eliminatore të Kupës së Botës në shtator ndaj Polonisë e Hungarisë. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!