Abissnet Superiore/ Vllaznia fiton “klasiken”, “Kuqeblutë” mundin Tiranën në “festivalin” e golave

schedule16:22 - 30 Tetor, 2024

schedule 16:22 - 30 Tetor, 2024

Ishte padyshim një përballje spektakolare dhe kjo mund të shihet që nga numri i golave të shënuar, plot 7 të tilla.

Tirana e Vllaznia kanë zhvilluar një tjetër “akt”, të “klasikes” së futbollit shqiptar, ku këtë herë triumfuan dolën “Kuqeblutë” e Shkodrës, të cilët regjistruan shifrat 4-3, në stadiumin “Roza Haxhiu”, të Lushnjes për të arritur fitoren e madhe.

Gjatë sfidës nuk munguan as trazirat, me tifozët e Tiranës që hodhën mjete piroteknike gjatë festimit të golit të tretë të Vllaznisë, duke shkaktuar jo pak momente paniku, me tre nga lojtarët shkodranë që mbetën të shtrirë në tokë për disa minuta.

Gjithçka nisi me dopietën e “bomberit” shkodran, Bekim Balaj, i cili gjeti dy herë rrugën e rrjetës fillimisht në minutën e 9’-të me anë të një 11-metërshi e më pas në minutën e 14’-të, ndërsa Esat Mala dërgoi topin në rrjetë në minutën e 34’-t, për të mbyllur na avantazhin e trefishtë fraksionin e parë të sfidës.

Me nisjen e pjesës së dytë të lojës, filloi edhe kundërpërgjigja e “Bardhebluve”, të cilët ngushtuan diferencën pas golit të Juric, mirëpo nuk zgjati shumë dhe 10 minuta më vonë, në të 66’-n, Ildi Gruda çoi shifrat në 4-1, për t’i lënë më pas vend golave të Bajrovic dhe Ndrecës, në minutat e fundit të ndeshjes, por pa mundur dot të ndryshonin rezultatin.

Falë këtij rezultati, Vllaznia ngjitet në vendin e parë me 18 pikë, ndërsa Tirana mbetet në vendin e 7-të me 11 pikë të grumbulluara deri më tani.

Ndërkaq, në sfidën tjetër të orës 14:00, Laçi ka vijuar me rezultatet pozitive duke mundur 2-0, kampionët e Egnatias, pas golave të Prodanit dhe William, duke e ngjitur kështu skuadrën në vendin e 9-të me 10 pikë, vetëm 1 më pak se Skënderbeu dhe Tirana. /i.m /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!