Abilekaj: SHBA-ja mban anën e qeverisë për hir të stabilitetit

schedule20:57 - 10 Prill, 2019

schedule 20:57 - 10 Prill, 2019

Drejtori i Dosja.al, Enton Abilekaj, ishte i ftuar këtë të mërkurë në emisionin “Byro Politike”, ku u diskutua mbi vizitën e Palmer në Shqipëri dhe qëndrimet që mbajti pas përfundimit të takimeve me liderët e shtetit dhe të opozitës.

Sipas gazetarit, ai erdhi në një kohë pas publikimit të raportit të DASH për drogat. Edhe pse raporti ndan të njëjtat shqetësime që ka opozita, sipas Abilekajt, SHBA mban anën e qeverisë për hir të stabilitetit për një vend të vogël si i yni.

“Ka një problem. Palmer vjen pak ditë pasi doli raporti i DASH për drogat. Pra DASH, ku zoti Palmer është një ndër funksionarët dhe jo shumë i rëndësishëm për atë që është atje. I rëndësishëm është për Shqipërinë, por për departamentin vetë jo shumë, është i sigurt për atë që ndodh në Shqipëri. Raporti ndan të njëjta shqetësimet që ndan jo vetëm opozita dhe media në Shqipëri. Problemi është që këta në komunikimet që mbajnë me palën shqiptare zgjedhin të mbajnë anën e qeverisë për hir të stabilitetit. Ata ndoshta mendojnë që një vend i varfër nuk e meriton demokracinë, por duhet të rrijë urtë dhe të ketë stabilitet”, tha Abilekaj.

Ndërkohë, më herët dy ish-deputetet e opozitës, Klajda Gjosha dhe Jorida Tabaku, deklaruan se nuk prisnin qënrdim ndryshe nga ana e Palmer në lidhje me djegien e mandateve.

Ky i fundit dënoi dorëzimin e mandateve të deputetëve pasi mund të krijojë precedent në vende të tjera të rajonit, por edhe në vendet me demokraci të brishtë. Ndërsa nga ana tjetër, ashtu siç pohoi dhe Gjosha, Palmer ishte plotësisht dakord me çështjet që ka ngritur opozita./abcnews.al