Pas më shumë se 1 muaj pa një trajner stabël, “Demat e Kuq” të Partizanit kanë prezantuar, këtë të shtunë, në ambientet e “Arenës së Demave”, teknikun e ri të kampionëve në fuqi të Shqipërisë, i cili është ish-“bomberi” vlonjat, ish-Drejtori Sportiv i klubit, Arbër Abilaliaj, me këtë të fundit, që në 5 ndeshjet e para me “të kuqtë” ka regjistruar 5 fitore.
Menjëherë pas nënshkrimit të kontratës së re, disa fjalë për mediat i tha edhe Presidenti Gazmend Demi, i cili theksoi se pas shumë diskutimesh u vendos që alternativa më e mirë ishte Abilaliaj duke qenë se vlonjati që në fillimin e këtij sezoni ka nisur një projekt me të kuqtë dhe tashëm është koha që t’i dalë për zot.
“Siç e dini të gjithë, ne kemi filluar një projekt të ri me drejtor Arbër Abilaliaj që zgjodhi edhe trajnerin Zekic. Ishte zgjedhje e Abilaliaj, patëm ato problematikat e vogla, ai pati një problem familjar. Tani u bë një kohë e gjatë dhe e shkurtër që ekipin e drejton drejtori sportiv, që të shuajmë keqkuptimet.
Ne si staf dhe Arbëri si drejtori se ai i ka të gjitha përgjegjësitë, do të jetë për një kohë të gjatë në këtë rol, pas shumë diskutimesh arritëm në përfundimin që trajneri më i mirë për Partizanin është Abilaliaj që do të mbajë të dyja funksionet.
I uroj më të mirat, suksese. Të gjithë e dinim se kush do të ishte trajneri, por për të hequr pak edhe keqkuptimet që vijnë nga mediat. Arbëri siç ishte, është nga sot trajner i Partizanit në bashkëpunim me mua dhe drejtuesit.
Kur e menduam në emergjencë që të ishte Arbëri trajner, në mendimet e mia ishte dëshira që ai të ishte trajner për një kohë të gjatë. Arbëri ka impenjime me pjesën e drejtorit sportiv, por e ka marrë përsipër të shtojë orët e punës dhe të drejtojë Partizanin. Tani që është në të dyja rolet, mund t’i bëjë edhe më mirë.
Zekic? Ishte projekt i Abilaliajt, stafi është i njëjtë prej asaj kohe. Nuk dua të heq meritat, Zekic kishte meritat e tij. kam shumë besim për ecurinë e Arbërit. Nga investimet që bëjmë si klub, asnjëherë nuk kënaqesh maksimalisht, por fryma që ka sjell Arbëri me djem të ri besoj se do të ecë përpara. Por, futbolli ka edhe pjesën e fatit, unë si president dua të jem gjithmonë 10 pikë para. Kampionati sa ka filluar, skema ka të mirat dhe të këqijat e veta, ndoshta në këtë mënyrë edhe trajneri nuk futet shumë në presion, mendojmë se do të ecë mirë.
Me Abilaliajn diskutojmë çdo ditë, dhe kështu arritëm njëherë e mirë që ta mbyllim këtë çështje se dilnin çdo ditë emra trajnerësh. Abilaliaj e ka marrë përsipër që të heqë disa orë nga impenjimet me familjën dhe të merret me Partizanin.
Stafi dhe Arbëri është marrë me disa trajnerë që janë propozuar, ne mendojmë gjithmonë që t’i shohim gjërat me qetësi dhe dolëm në këtë përfundim. Trajneri le ta vazhdojë projektin që ka nisur vetë. Edhe në kohën kur nuk ishte trajner ka qenë gjithmonë aty. Përfundimi është që Arbëri është trajneri i Partizanit dhe i uroj fat”,- u shpreh Presidenti i “Demave të Kuq”. /i.m /abcnews.al