Ish-drejtori sportiv i Barcelonës, Eric Abidal, është rikthyer të flasë për situatën e katalanasve. Francezi gjatë një interviste për “Telegraph” komenton rikthimin e Laportës në bordin e klubit si dhe ndalet tek e ardhmja e Messit. Abidal thekson se e kupton idenë e Leos për të provuar një aventurë të re, por nuk e di nëse ka një opsion më të mirë për të se sa Barcelona.
“Unë mendoj se kthimi i Laportës mund të jetë i mirë për klubin sepse ai e di se si funksionon Barcelona. Nëse projekti dhe idetë janë të mira, atëherë nuk kemi pse të shqetësohemi. Messi? Ai është lojtari më i mirë në historinë e futbollit dhe katalanasit janë me fat që e kanë”.
“Leo ka luajtur gjatë gjithë karrierës së tij me Barçën e për këtë arsye është e rëndësishme që ai të mbetet sërish protagonist. Gjithçka në lidhje me të ardhmen e tij do të ndikohet nga ekipi, projekti si dhe idetë e reja që do sjellë bordi i ri.
E kuptoj që pas kaq shumë vitesh në një klub mendon të provojë një aventurë të re, por nuk e di nëse ka një klub më të mirë për të se Barcelona”, përfundon Abidal. /abcnews.al