Abdullah Hoti: Profesori që u bë kryeministër

schedule21:26 - 10 Qershor, 2020

schedule 21:26 - 10 Qershor, 2020

Ekonomisti 44 vjeçar Abdullah Hoti, baba i dy djemve, u bë më 3 qershor kryeministri i tetë që nga mbarimi i luftës në Kosovë, në vitin 1999, dhe kryeministri i tretë brenda 6 muajsh në Kosovë.

I lindur në vitin 1976, në një fshat të Rahovecit, Hoti ka një formim ekonomik. Ka ndjekur studimet në Fakultetin Ekonomik në Universitetin e Prishtinës, të cilat I ka përfunduar në 1998, pikërisht në vitin kur Kosova fillon luftën e ashpër kundër makinës vrastare të Beogradit.

Pas luftës, vazhdon studimet për master dhe doktoraturë po në ekonomi në “Staffordshire University” në Britani të Madhe.

Pavarësisht nga përfshirja në politikë, nuk ka hequr dorë nga të dhënit mësim në universitet, sigurisht në profilin e tij ekonomik.

Por politika ka ecur paralel me ekonominë dhe mësimdhënien. Në periudhën 2006-2007, shërben si Këshilltar i Lartë i Ministrit të Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë të Kosovës.

Nga viti 2006 është anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Më pas, në periudhën 2008-2009, është Këshilltar për Ekonomi i Kryetarit të Komunës së Prishtinës.

Nga viti 2010, është anëtar i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës. Nga viti 2011, ka kryesuar Këshillin e Ekspertëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Profesori gjakftohtë dhe shumë më i qetë sesa shumica e politikanëve në Kosovë, ka qenë edhe nënkryetar I komunës së Prishtinës në periudhën 2010-2013, kur kryetar ishte Isa Mustafa. Viti 2014 shënon herën e parë kur Hoti bëhet deputet në kuvendin e Kosovës. Lë postin e deputetit për tu bërë ministër i financave në qeverinë e drejtuar nga Isa Mustafa kryeministër.

Abdullah Hoti mbetet njeriu besnik I Isa Mustafës në parti, edhe atëherë, edhe sot e kësaj dite. 3 vjet më vonë, në vitin 2017, Hoti nominohet për kryeministër në listën zgjedhore, por LDK-ja nuk i fiton zgjedhjet dhe shkon në opozitë. Hotit iu desh të përballej në këtë periudhë me akuza të pabaza që kishin të bënin me publikimet në media se ai kishte qenë pjesë e partisë së Bujar Bukoshit dhe se kishte qenë në listën zgjedhore të PREK-ut, me numrin rendor 78. Por Hoti dhe LDK reaguan duke sqaruar se personi në listën e Bujar Bukoshit, me të njëjtin emër dhe mbiemër ishte dikush tjetër, një mjek, i cili kishte kandidatuar për deputet.

 “Lidhja Demokratike e Kosovës dëshiron të sqarojë që lajmi se kandidati i LDK-së për kryeministër, z.Avdullah Hoti ishte pjesë e partisë së z.Bujar Bukoshi, nuk është i vërtetë. Lidhja Demokratike e Kosovës bën të ditur se z. Avdullah Hoti aktivitetin e tij politik e ka filluar në vitin 2006, si pjesë e LDK-së, ndërsa personi për të cilin flitet e ka të njëjtin emër dhe mbiemër, por është tjetër dhe me profesion mjek. Lidhja Demokratike e Kosovës kërkon nga mediat që të jenë korrekte dhe që lajmet të verifikohen konform standardeve më të larta të gazetarisë, sidomos në këtë fazë, kur po i afrohemi fushatë parazgjedhore”, bën me dije LDK.

Në zgjedhjet e 2019-tës, LDK del e dyta, me vetëm një deputet diferencë me VV-në e Albin Kurtit dhe Hoti nuk ishte në dhjetëshen e parë të më votuarve nga partia e tij. Është i dymbëdhjeti më i votuar në listën e LDK-së.

Shërben për më pak se dy muaj si zëvendëskryeministër në qeverinë e Albin Kurtit, por është i pari që Kurti shkarkon në mesnatë, menjëherë pas një votimi të suksesshëm mos-besimi që e rrëzon qeverinë e kreut të Vetëvendosjes. Ishte e qartë që Hoti, ndryshe nga Vjosa Osmani, kishte mbetur besnik i kreut të partisë Isa Mustafa. Osmani nuk ishte në të njëjtën linjë me kryetarin Mustafa dhe pjesën më të madhe të partisë së saj, duke pasur edhe staturën e kandidatit më të votuar nga LDK, me 176 mijë vota.

Hoti vetë, mori në zgjedhjet e fundit të 6 tetorit, 26 mijë vota. Marrëdhëniet e Hotit me Vetëvendosjen nuk kishin qenë ndonjëherë të afërta dhe aq më pak të mira. Ai shërbeu në qeverinë Kurti për dy muaj si zv.kryeministër në koalicionin mes LDK-së dhe Vetëvendosjes, duke qenë një zë i forte, i hapur dhe publik në mbrojtjen e qëndrimeve të LDK-së, e cila akuzonte Kurtin dhe njerëzit e tij se po shkatërronin marrëdhëniet diplomatike me aleatët kryesorë si SHBA dhe BE.

Por nuk ishte vetëm Vetëvendosje me të cilën Hoti duhej të përballej. Më 22 shkurt 2020, Hoti, atëherë zëvendëskryeministër, u sulmua me vezë ndërkohë që ishte afër ndërtesës së qeverisë.

Hoti tha se porositësit po përpiqeshin ta mbanin Kosovën të izoluar.

“Porositësit e veprimit të sotëm tentojnë ta mbajnë Kosovën të izoluar. Kosova më nuk është e izoluar. Të izoluar janë vetëm ata që po japin urdhra të tillë. Shtëpia pa miq nuk mbahet. Qeveria e re, me LDK-në brenda si partner kyç, nuk bënë kompromis me miqësinë me SHBA-në. Sinjalet qarta nga Qeveria e re se krimi ekonomik, zhvatja dhe kapja e shtetit po marrin fund i kanë trishtuar ata që na kanë mbajtur të izoluar. Ne nuk do të lejojmë që raportet me miqtë tanë të nëpërkëmbën për interesa elektorale. Ne jemi të vendosur t`i japim vendit zgjidhje, bashkë me miqtë tanë”, u shpreh ai.

Pak javë më vonë, Hoti do të kishte përballë Vetëvendosjen. Krisja e filluar midis Vetëvendosjes dhe LDK-së ishte kthyer në një çarje të pariparueshme brenda më pak se dy muajsh. Dhe në tavolinën e kundërshtive ishin më shumë se një çështje, fillonte me taksën dhe reciprocitetin, vazhdonte me Grenellin dhe amerikanët, dhe përfundonte me Agim Veliun dhe pandeminë.

Më 25 mars, vendimi ishte marrë. Divorci midis palëve ishte zyrtarizuar. Mocioni i mos-besimit në parlament i miratuar me dy të tretat e deputetëve, i dha fund pa nisur akoma mirë koalicionit VV/LDK. Abdullah Hoti kishte folur atë ditë, duke artikuluar publikisht atë që shefi i tij Isa Mustafa, i kishte shkruar Albin Kurtit, vetëm pak javë pas formimit të qeverisë së re.

LDK nuk do të lejonte prishjen e marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara. Kurti kishte filluar të fliste hapur kundër ambasadorit amerikan Richard Grenell dhe ato që i quante pazare në kurriz të Kosovës. Më 25 mars, ditën e mocionit të mos-besimit kundër qeverisë Kurti, Hoti bëri të qartë qëndrimin e tij.

“Më 3 qershor, Hoti nuk kishte më përballë Vetëvendosjen. 29 votat e tyre kundër nuk ishin në sallë. Nuk ishte as Vjosa Osmani dhe Fatmir Rexhepi. 24 deputetët e PDK-së së Kadri Veselit që ishin në sallë, votuan kundër në unison.  Abdullah Hoti po merrte në dorë një qeveri, me vetëm 61 vota, 1 votë më shumë se gjysma e parlamentit 120-vendesh. Shumica ishte e brishtë dhe profesori Hoti, ashtu si mentori I tij, profesori Mustafa, kishin kuptuar se përveç menaxhimit të duhur të qeverisjes, do t’iu duhej të rikrijonin aleanca në parlament, për të shtuar dhe konsoliduar shumicën parlamentare. Në të kundërt, do të mjaftonte vota e Haxhi Shalës për t’i rrëzuar me një mocion tjetër mos-besimi”, tha më tej ai.