Abdixhiku pas rrëmbimit të tre policëve: Ushtrimi i sovranitetit të vërtetë kërkon mençuri

schedule17:39 - 14 Qershor, 2023

schedule 17:39 - 14 Qershor, 2023

Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar pasi forcat serbe kanë rrëmbyer sot tre pjesëtarë të Policisë së Kosovës.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, lideri i kësaj partie, Lumir Abdixhiku u shpreh se lirimi i këtyre tre policëve është domosdoshmëri.

Për këtë sipas tij, bashkërëndimi dhe përafrimit me aleatët është pa-alternativë, teksa shtoi se Kosova nuk e meriton një ditë të tillë.

Ndër të tjera, ai ka kërkuar përgjegjësi politike institucionale nga kryemnistri Kurti dhe vartësi i tij, teksa ka shtuar se ushtrimi i sovranitetit të vërtetë kërkon mençuri.

“Të tre policët e rrëmbyer i presim në shtëpi. Ky është borxhi ynë si Republikë përballë agresionit luftënxitës të Serbisë. Lirimi i tyre i menjëhershëm është domosdoshmëri. Për këtë lirim, bashkërendimi e përafrimi me aleatë është i paalternativë. Prandaj, sot, bie dhe perdja e naiviteti popullist që këtë bashkërendim e shihte si dobësi. Dobësi e vetme është thirrja e vonuar për ndihmë, pasi je poshtëruar. Kosova nuk e meriton një ditë të tillë. Sot, kërkojmë përgjegjësi politike institucionale nga kryemnistri dhe vartësi i tij. Ushtrimi i sovranitetit të vërtetë kërkon mençuri”, shkroi Abdixhiku në Facebook.

Policia e Kosovës ka deklaruar se tre zyrtarë kufitarë janë kidnapuar nga forcat serbe gjatë një patrullimi në vijën kufitare në veri të Kosovës.

Policia ka bërë të ditur se njësia policore ka qenë duke patrulluar thellë brenda territorit të Kosovës për të parandaluar shfrytëzimin e rrugëve ilegale.