Në fundin e verës së vitit të trazuar 1998, arrestimet pa bujë të disa shtetasve egjiptianë më banim në Tiranë dhe Elbasan, pothuaj kaluan pa u pikasur nga gazetat e televizionet e pakta të kësaj periudhe.
Më tepër jehonë arrestimet patën në disa nga mediat më të njohura botërore.
Me kalimin e kohës do të mësohej se egjiptianët ishin pjesë e organizatës terroriste të quajtur Xhihadi Islamik Egjiptian dhe se të gjithë ishin të akuzuar e dënuar deri edhe me vdekje për disa akte terroriste, përfshirë vrasjen, në vitin 1981, të Presidentit egjiptian Anuar Sadat.
I konsideruar nga CIA – Shërbimi Inteligjent Amerikan, si një nga operacionet e hershme më të suksesshme kundër terrorizmit, krerët e Shërbimit Sekret shqiptar, që në këtë kohë drejtohej nga Fatos Klosi, do të merrnin vlerësime të nivelit më të lartë për bashkëpunimin. Kjo për shkakun se dëshmitë e të arrestuarve për herë të parë do të ndërtonin para ekspertëve të shërbimit inteligjent amerikan stadin real të organizimit të terrorizmit ndërkombëtar, që drejtohej kryesisht kundër interesave amerikane.
Pak vite më pas, sulmet terroriste të 11 shtatorit 2001 dhe, më tej, pushtimi i Afganistanit, do ta risillnin dhe ridimensiononin aksionin antiterrorist në Shqipërinë e vitit 1998.
Aq shumë gjurmë do të linte ky operacion i zhvilluar në Shqipëri, saqë një grup autorësh prestigjozë botërorë, e kanë sjellë të plotë operacionin për asgjësimin e celulës terroriste të Tiranës si ilustrim të një filozofie të re të Shteteve të Bashkuara të Amerikës të pagëzuar me emërtimim “Striking first” në shqip “të godasësh i pari”.
Por sa e rëndësishme dhe sa e rrezikshme ishte celula e Xhihadit Islamik Egjiptian që ishte instaluar në Tiranë?
Si u zbulua kjo celulë dhe roli i Bashkim Gazidedes dhe Fatos Klosit – dy drejtuesve të parë të Shërbimit Sekret Shqiptar…
Për herë të parë, përmes dëshmive të aktorëve që vendosen në qendër të kësaj historie si dhe dokumenteve të kohës, emisioni Abc/Story, në televizionin ABC, e ka rindërtuar këtë ngjarje të rrallë, ku u bënë bashkë, në një qëllim, disa nga shërbimet sekrete më të mëdha dhe më të forta të botës. /abcnews.al/