ABC News zbulon vendimin që mban “peng” 300 mln lekët e ish-gjyqtarit

schedule18:15 - 19 Shtator, 2018

schedule 18:15 - 19 Shtator, 2018

Ndonëse prokuroria urdhëroi heqjen e sekuestros për 30 milionë lekët e gjetura në banesën e ish-gjyqtarit të akuzuar për “korrupsion”, Shkëlqim Miri, i pandehuri nuk mund t’i shpëtojë paratë. ABC News ka mësuar se në 9 gusht 2018, Gjykata për Krimet e Rënda ka vendosur masën e sekuestros mbi këtë shumë, për llogari të hetimit pasuror të nisur ndaj Mirit, bazuar në ligjin “Antimafia”. 

Gjatë leximit të pretencës në seancën gjyqësore të së hënës ndaj Shkëlqim Mirit, ish-gjyqtarit të Apelit Tiranë të akuzuar për “korrupsion”, prokuroria urdhëroi heqjen e sekuestros për gati 30 milionë lekë të rinj cash të gjetura në banesën e tij.

Por kjo nuk do të thotë se ekziston mundësia që paratë t’i kthehen gjyqtarit të pandehur. “ABC News” ka mësuar se shumë prej 175 mijë euro, 1 mijë USD dhe 9.6 milionë lekë është sekuestruar për llogari të një procedimi paralel për hetimin pasuror të nisur ndaj ish-gjyqtarit bazuar në ligjin “Antimafia”.

Kërkesa e Prokurorisë për Krimet e Rënda për sekuestron e kësaj shumë është pranuar nga Gjykata e Shkallës së Parë në 9 gusht 2018.

Sipas burimeve, Gjykata ka vendosur pezullimin e pasojave të zbatimit të masës së sekuestrimit, derisa trupa që po gjykon akuzën për “korrupsion” të gjyqtarit të ketë shpallur një vendim përfundimtar.

Deri në dhënien e një vendimi final nga Shkalla e Parë, Prokuroria vijon veprimet hetimore në lidhje me verifikimin e burimit të parave të gjetura në banesën e të pandehurit Miri.

Sipas Prokurorisë së Krimeve të Rënda, ish-gjyqtari i Apelit, Shkëlqim Miri ka marrë 30 mijë euro rryshfet nga i afërmi i tij Kujtim Miri me qëllim dhënien e një vendimi të favorshëm për një person të akuzuar për një vrasje të dyfishtë në vitin 1997 në Burrel. Në përfundim të gjykimit, Prokuroria kërkoi deklarimin fajtor të Shkelqim Mirit dhe dënimin e tij me 4 vjet burg, që për shkak të gjykimit të shkurtuar reduktohet në 2 vjet e 8 muaj. Po ashtu, prokuroria kërkoi konfiskimin e shumës prej 30 mijë euro, që dyshohet të ketë qenë rryshfeti i marrë nga gjyqtari. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!