ABC News zbulon shtëpinë ku u fshehën Griseldo e Albano Kusi pasi vranë Çelajn

schedule15:21 - 6 Shtator, 2019

schedule 15:21 - 6 Shtator, 2019

Pas vrasjes së Indrit Çelaj, vëllezërit Kusi u strehuan në një vilë dy katëshe në fshatin Allgjatë të Tiranës. ABC News disponon edhe pamjet të banesës ku kanë qëndruan Griseldo dhe Albano Kusi, të cilët arritën ti shpëtonin prangosjes së FNSH mëngjesin e 25 gushtit.

Në këtë vilë dyshohet se kanë qëndruar dy ditë të fshehur pas vrasjes së teknikut të kondicionerit Indrit Çelaj, vëllezërit Griseldo dhe Albano Kusi.

Banesa dykatëshe është e veçuar nga shtëpitë e tjera të fshatit Allgjatë dhe ndodhet pranë Kasharit në periferi Tiranës. Ajo është në pronësi të xhaxhait të vëllezerve Kusi, Lulzim Kusi.

Ky i fundit u shpall në kërkim nga uniformat blu, pasi në bodrumin e banesës së tij u gjet një armë zjarri tip kallashnikov model 56. ABC News kishte publikuar më herët që, autorët e dyshuar Albano dhe Griseldo Kusi, ishin lokalizuar nga grupi hetimor nëpërmjet qelizave telefonike se fshiheshin tek të arfërmit e tyre në fshatin Allgjatë. Por pas aksionit “blic” të 25 gushtit të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë ata kishin mundur të largoheshin para se të mbërrinin aty uniformat blu.

Për këtë arsye po verifikohet nga Drejtoria e Standardeve Profesionale në Ministrinë e Brendshme për rrjedhje të informacionit nga vetë strukturat drejtuese policore. Burime konfidenciale pohuan se, kërkimet policor u shtrinë edhe në qytetin e Korçës, pasi Griseldo dhe Albano Kusi fshiheshin në tentativë për t’u larguar jashtë vendit nëpërmjet kufirit të gjelbër. Për ketë shkak autoritetet Shqiptare i kanë shpallur vëllezërit Kusi në kërkim ndërkombëtar.

Për vrasjen e Indrit Çelaj, i cili u qëllua me plumb në kokë teksa ishte duke montuar një kondicioneri në banesën e familjes Kusi, gjykata e Apelit la në fuqi vendimin e shkallës së parë.

Bujar Kusi, Ali Sula dhe Ferdinand Bakallin do të qendrojnë në burg, deri në përfundim të hetimeve, ndërsa për punëtorin Luan Çaka u caktua masa “arrest shtëpie”.

Ndërkohë dy vëllezërit Kusi janë ende në kërkim nga policia e Shtetit. /ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!