ABC News zbardh 12 emrat që do të merren të pandehur për “dosjen 339”

schedule17:19 - 27 Maj, 2019

schedule 17:19 - 27 Maj, 2019

Pas mbylljes së hetimeve për “dosjen 339”, zbardhen emrat e 12 të pandehurve, mes të cilëve dy nipat e ish-deputetit socialist Arben Ndoka si dhe ish-kampioni i mundjes Elis Guri. Ndërkohë, vijojnë hetimet për pjesën 339/1, ku bëhet fjalë për shitblerjen e votave, shpërdorim detyre dhe lejet e ndërtimit.

ABC News zbardh emrat e 12 personave që janë marrë të pandehur nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, në kuadër të “dosjes 339”. Mes tyre, të bien në sy emrat dy nipave të ish-deputetit socialist Arben Ndoka, Vilson dhe Samuel Ndoka së bashku me ish-kampionin e mundjes Elis Guri.

Ndërsa të pandehurit e tjerë janë: Ramadan Dushaj, Rezart Çaçani, Fatbardh Gostini, Neritan Saraçi, Ardit Haxhagiqi, Gentjan Marku, Fation Marku, Oltion Noka, Luan Boça

Gjatë hetimeve të prokurorisë, ka rezultuar se i pandehuri Ramadan Dushaj, kamuflonte veprimtarinë e paligjshme të tregtimit të lëndëve narkotike me aktivitet të grumbullimit dhe shitjes së produkteve bujqësore. Pas disa muajsh hetime, organi i akuzës ka bërë gati kërkesën për gjykim, e cila në ditët në vazhdim do të mbërrijë te Krimet e Rënda ku do të hidhet shorti për trupin gjykues.

12 të pandehurit akuzohen për “Kryerjen e veprave penale në kuadër të grupit kriminal, prodhim dhe shitja e lëndëve narkotike në bashkëpunim dhe krijim të grupit kriminal”. Ndërkohë, Prokuroria për Krime të Rënda vazhdon hetimet për 339/1, ku pak kohë më parë është marrë në pyetje edhe Kryetari i Bashkisë Durrës, Vangjush Dako, sëbashku me zyrtarë të tjerë që kanë bërë fushatën në qytetin bregdetar.

Kryebashkiaku i Durrësit është pyetur në cilësinë e personit që ka dijeni, ndërsa nuk kanë dalë detaje nga dëshmia e tij.  Burimet kanë konfirmuar se Dako ka mohuar të këtë lidhje me grupin e Avdylajve dhe se është takuar me ta si me çdo zgjedhës tjetër. Por në përgjimet e bëra publike më herët në media, numri që përfundon me 300 e që dyshohet të jetë i Dakos, rezulton se ka shkëmbyer disa mesazhe me Jasin Avdylin, i cili i kërkon informacion në lidhje me një operacion të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!