ABC News siguron urdhrin e ish-drejtorit të Hipotekës, qytetarët denoncojnë rastet e tyre

schedule15:09 - 12 Shtator, 2019

schedule 15:09 - 12 Shtator, 2019

Kontrolli i Lartë i Shtetit po analizon dosjet e katër viteve të fundit në Hipotekën e Vlorës. Mësohet se të tjerë punonjës pritet të largohen nga detyra pas shkarkimit të drejtuesve kryesorë. ABC News ka siguruar urdhrin e brendshëm te ish-drejtorit Florian Alimadhi për juristët e Kadastrës për të marrë në shqyrtim dosjen nr. 246 për një pronë në Jalë.

Dalin në dritë detaje të reja për hetimet që po kryhen në Hipotekën e Vlorës. ABC News ka siguruar letrën zyrtare që ish-drejtori Florian Alimadhi ka përpiluar për ngritjen e grupit të punës me juristë të Kadastrës së Vlorës.

Urdhri i brendshëm mban datën 26 Qershor dhe u delegon punonjësve që të shqyrtojnë dosjen numër 246 për një pronë në zonën e Jalës. Për këtë çështje u larguan nga detyra edhe ish-drejtuesit kryesorë të Kadastrës në Vlorë.

Edhe dorëheqja e paralajmëruar një ditë më parë për zv/drejtorin e ALUIZNIT është zyrtarizuar të enjten. Në vendin e Ardian Mustës është vendosur Elona Hodaj, e cila do të mbajë postin e zv/drejtores.

Në institucion prej disa ditësh ndodhet KLSH, e cila po merr në shqyrtim dosjet e katër viteve të fundit. Hetimet nisën pas denoncimeve të qytetareve të ndryshëm.

Njëri prej tyre regjistroi edhe ish zv/drejtorin Klodian Troci në zyrë. Qytetari Fatos Myslimi pretendon se i kanë marrë truallin e tij pa të drejtë dhe mbi të është ndërtuar një pallat. Banorë të tjerë flasin për neglizhencën e zyrtarëve të Hipotekës.

Pas mbërritjes në këtë institucion të krimit ekonomik dhe policisë vendore të Vlorës të tjerë punonjës priten të largohen nga Hipoteka./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!