ABC News në vendin ku u vra ekstremisti minoritar (Video)

schedule13:00 - 29 Tetor, 2018

schedule 13:00 - 29 Tetor, 2018

ABC News sjell pamje nga vendi ku ndodhi përplasja me armë zjarri dhe për pasojë mbeti i vrarë Kostandinos Kaçifa. Ndërkohë në familjen e tij në Bularat kanë shkuar për ngushëllim shumë përfaqësues të minoretit grek, gazetarë dhe banorë të zonës

Orges Sako, gazetar i ABC News: “Ndodhemi në kodrën e Bularatit pikërisht në depon e ujit ku 35-vjeçari Kostandinos Kaçifas ka zhvilluar shkëmbimin e zjarrit me efektivët e RENEA-s për gati dy orë gjatë ditës së djeshme”.

Këtu ndodhet depo e ujit në periferi të Bularatit të Gjirokastrës. Ekstremisti minoritar Kostandinos Kaçifa u pozicionua pikërisht në këtë vend në përballje me armë zjarri me forcat RENEA. Pas më shumë se dy orësh përpjekje nga ana e policisë për dorëzim në një nga shkëmbimet e zjarrit ai vra, po këtu. Një ditë pas ngjarjes në Bularat shkuan shumë gazetarë shqiptarë e të huaj. Konsulli grek, kryetari i PBDNJ-së, Vangjel Dule, e shumë përfaqësues të tjerë të minoritetit grek.

“Dëshiroj që të theksojmë thirrjen tonë për gjakftohtësi, por në të njëjtën kohë të demonstrojmë vendosmëri se kjo çështje duhet zbardhur në të gjitha detajet e saj me gjithë transparencën e mundshme. Ka shumë pikëpyetje që e bëjnë atë edhe më delikate. Si nisi konflikti dhe nga u provokua? Mbetet ende pa përgjigje”, u shpreh ai.

Shumë banorë të fshatit nuk duan të flasin për atë që ndodhi, por ka dhe prej tyre që thonë se 35-vjeçari duhej të kapej po jo të vritej.

“Nuk duhej të vritej, ishte njeri dhe jo kafshë”, tha një banore.

Kaçifa ishte prind i një vajzë, i divorcuar dhe prej kohësh jetonte në Athinë. Në shtëpinë e tij në Bularat jeton vetëm nëna e tij, e cila sipas mediave greke, thotë që shqiptarët nuk i donin minoritarët.

“Unë kam dëgjuar që familjarët kanë kërkuar që të vijë ekspertizë mjekoligjore greke, të vijë avokat grek, kërkojnë të vijnë prokurorë greke sepse sipas të dhënave të pjesëtarëve të familjes kërkojnë të jepet drejtësi. Nuk duan të hakmerren vetëm të jepet drejtësi”, u shpreh një banor tjetër.

“Fshatar ishte. Shumë i mirë ishte”, tha ndërkohë një banore tjetër e Bularatit.

Kostandinos Kaçifa qëlloi me armë ndaj efektivëve dhe nuk iu bind thirrjes për t’u dorëzuar, por ka bërë disa orë rezistencë me plumba. Incidenti nisi paraditen e së dielës pak minuta para se në këtë zone të zhvillohej  ceremonia e festës kombëtare e Greqisë, ndërsa ndjekja e policisë vazhdoi deri në orën 15:30 kur policia njoftoi për vrasjen e 35-vjeçarit.

Gazetar i ABC News: Orges Sako

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!