Kristal Abazaj i dha tre pikët Kukësit në ndeshjen me Partizanin. Sulmuesi anësor është i kënaqur me atë që bënë në takimin me të kuqtë, ndërkohë që thekson se nuk ka eufori në kampin verilindor, pasi e kanë marrë mësimin në takimin e parë me Luftëtarin.
“Nuk mund ta them që ka eufori, pasi çdo ekip mund të bëjë një gabim. Ne e bëmë në ndeshjen e parë me Luftëtarin. Mendoj se ekipi është paraqitur mirë në takimin me Partizanin dha ia arritëm të merrnim tre pikët. Për këtë gjë jemi shumë të lumtur, pasi treguam se kemi forcën dhe kapacitetet për të mundur çdo ekip”, u shpreh Abazaj.
I pyetur nëse do jetë i gatshëm të shënojë sërish dhe të përjetojë emocione të njëjta si me Partizanin, sulmuesi shprehet: “Nuk mund ta quaj emocion, pasi kjo është detyra ime: të shënoj sa më shumë gola për Kukësin. Mund të quhet gjysmë goli ose mund ta quani si të doni. E kam thënë që i gëzohem tre pikëve dhe nuk ishte fitorja e Abazajt, por e gjithë skuadrës”.
Abazaj më tej thekson se ndaj Flamurtarin nuk mund të ketë lëshim, madje ai shprehet se as në stërvitje nuk e bën diçka të tillë: “Unë në çdo stërvitje, jo vetëm në ndeshje, mundohem të jap maksimumin dhe të shënoj gola. Çdo gjë shikohet në stërvitje dhe më pas të tjerët e shohin në ndeshje. Ia bëj hyzmetin dhe me rëndësi është të ecë skuadra”.
Objektivi ndaj Flamurtari është i qartë, teksa Abazaj deklaron: “Është ajo fjala që ‘i mbyturi të mbyt’, por ne nuk shkojmë me këtë mendim në Vlorë. Shkojmë për të fituar si në çdo ndeshje. Besoj se të gjithë së bashku do ta arrijmë këtë objektiv. Dihet që nuk ka më ekipe të lehta. Çdo ndeshje është e vështirë dhe çdo kundërshtar mundohet të japë maksimumin kundër një ekipi si Kukësi”.
“Unë lokomotiva e Kukësit? Për të dalë kampion nuk mjafton një lojtar, duhet i gjithë ekipi. Ne e kemi ekipin. Gjithsecili do të japë kontributin për të arritur qëllimin që kemi si ekip dhe si klub”, ka përfunduar Abazaj, i cili me fanellën e Kukësit këtë sezon e ka gjetur rrugën pesë herë. /abcnews.al