Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se nuk synon të bëhet mbret me hapjen e listave por të dëgjojë vullnetin e qytetarëve që duan të dinë për kë votojnë.
Megjithatë, pyetjes së gazetarëve nëse po e bën këtë për të ndaluar koalicionet parazgjedhore, Rama tha se nuk do të punojë që PS të humbasë zgjedhjet.
“PS është një qenie me sytë dhe veshët hapur në katër anët. Dëgjon, arsyeton, vendos dhe ndryshon. Nuk e kemi pasur kauzë çështjen e listave të hapura. Por e vërteta është se në popullin shqiptar dhe në mjedisin tonë politik ka ndodhur një ndryshim i rëndësishëm si rezultat i retorikës së opozitës parlamentare që kërkon lista të hapura. Kjo ka qenë në vëmendjen tonë.
Nuk e kemi problem të diskutojmë edhe çështjen e sistemit por fillimisht duhet të bëjmë kodin. Unë kam admirimi për angazhimin dhe këmbënguljen e ndërkombëtarëve për të realizuar atë marrëveshje.
Është hera e fundit që një marrëveshje mes forcave politike bëhet në një ambasadë dhe bëhet me të huaj. Ne nuk do të mbajmë peng marrëveshjen për të bërë gjëra të tjera. Unë i kuptoj miqtë e huaj që nuk e dinë procedurën. Ajo marrëveshje është në procedurë. Jemi një vit para një sezoni tjetër politik. Marrëveshja e 5 qershorit nuk do të preket.
Nuk është çështja që unë të bëhem mbret, por unë Nuk punoj që PS të humbë. Unë jam i gatshëm që ta bëj Bashën pjesë të fitores por jo të punoj bashkë me grupin e PS që të humbin, Ky nuk është ndryshimi i rregullave të lojës.
Ky është një ndryshim që fut qytetarët në lojë. Natyrisht që kush kërkon alibi për të krijuar situata konflikti nuk e ka të vështirë t’i gjejë. Por unë nuk jam këtu për të menaxhuar problemet e askujt por për të drejtuar një parti politike që ka treguar që është forca që i përgjigjet vendit më mirë se askush tjetër”, tha Rama./abcnews.al