A po manipulohen shifrat e viktimave nga Covid? Cerga: Totali i vdekjeve nuk gënjen, ka rritje

schedule20:20 - 24 Nëntor, 2020

schedule 20:20 - 24 Nëntor, 2020

Vendi është përfshirë nga një debat i “nxehtë” që prej se kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha, akuzoi qeverinë se po manipulon numrin e të viktimave nga Covid-19.

Gjatë një bisede me gazetaren Jonida Shehu në “Radari Informativ” në ABC, sociologu Renis Cerga u shpreh se nëse ka shifra që nuk gënjejnë janë ato të vdekjeve totale, të publikuara nga INSTAT.

Ajo që i ka bërë më shumë përshtypje sociologut Cerga, është fakti që në tremujorin e tretë të vitit, vendi ka pasur një rritje shumtë të lartë të vdekshmërisë totale. Kjo sipas tij ka ndodhur konkretisht gjatë periudhës korrik-shtator.

“Kur dolëm nga lockdown-i ka shpërthyer epidemia në verë. Shifrat e verës ishin më të larta se në periudhën mars/prill.”

Më tej, sociologu sqaron se vdekshmëria është shtuar në mënyrë ekstreme, por shton ai, jo çdo vdekje ka ndodhur si pasojë e Covid-19.

“Ka rritje të vdekshmërisë edhe nga sëmundjet e tjera. Një lloj kolapsi i sistemit shëndetësor.Vdekshmëria nga sëmundjet kronike, janë rritur edhe vetëvrasjet.”

Sipas Cergës, duket se Komiteti i Ekspertëve në vendin tonë nuk i merr masat në bazë të situatës epidemiologjike, por në fakt “kopjon” lëvizjet që marrin shtetet e tjera. Lidhur me këto të fundit, ai tregoi se shteti me një valë të mesme epidemie, që pa një rritje të vdekjeve gjatë verës ashtu si Shqipëria, është Belgjika.

Duke u kthyer tek vdekshmëria totale në periudhën korrik-shtator,sociologu thotë se kaq shumë njerëz nuk vdesin as në tremujorin e dimrit. Sa i përket periudhës tetor-dhjetor, Renis Cerga thotë se duke marrë parasysh shifrat, vdekjet totale mund të shkojnë deri në 8200.

“6200 vdekje është normalja për periudhën tetor-dhjetor.”

I pyetur nëse mendon se në vendin tonë po manipulohen shifrat, Cerga tha se nuk di të japë një përgjigje të saktë, pasi kjo varet nga protokollet që ndiqen për ta shpallur dikë si viktimë nga Covid.

“Nuk di të jap një përgjigje të saktë, ka protokolle të ndryshme. Në Shqipëri, duhet të hetohet kjo pjesë. Duhet parë se mund të kemi tip grindje, se pse zbaton këtë protokoll, apo një tjetër. E vetmja shifër që nuk gënjen, është totali i vdekjeve që del në janar.” s.b/abcnews.al/