A po evropianizohet drejtësia shqiptare?/ Ambasadori i Britanisë në “Real Story”: Jemi partnerë të SPAK dhe të sistemit të drejtësisë

schedule20:23 - 18 Korrik, 2024

schedule 20:23 - 18 Korrik, 2024

Ambasadori i Britanisë, Alastair King Smith në një intervistë për emisionin “Real Story” në ABC News, komentoi reformën në drejtësi në Shqipëri.

Ai u pyet nëse po evropianizohet drejtësia, ku u shpreh se janë bërë hapa pozitive dhe se ka pasur progres nga shteti shqiptar.

Ndër të tjera Smith theksoi se Britania është partnere e SPAK dhe e gjithë sistemit të drejtësisë.

Pyetje: Ju e sollët vëmendjen tani te gjëja më e madhe, jo vetëm e dekadës së fundit, por një nga ngjarjet më të rëndësishme pas 1997, që është reforma në drejtësi. Dhe ramë dakord që janë shenjat e para që ky sistem i pavarur po funksionon, po shihet qartësisht në Gjykatën Kushtetuese, por reflektohet edhe në gjykatën e Lartë, dhe padyshim në mënyrën si SPAK po e godet korrupsionin por edhe me fillimin e hetimeve për 21 janarin po godet edhe aty ku ne mendonim se ishin të paprekshmit. Ju erdhët në një moment deciziv, si e shikoni reformën në drejtësi. A po evropianizohet drejtësia shqiptare?

Smith: Në thelb, sundimi i ligjit është element thelbësor i strukturës demokratike të çdo vendi dhe është me të vërtetë pozitive të shohim hapat që janë bërë dhe progresin e arritur në kuadër të institucioneve të drejtësisë. Jemi krenarë që jemi partnerë të Prokurorit të Posaçëm dhe të Prokurorisë së Posaçme, por edhe të të gjithë sistemit të drejtësisë. Në maj paraqitëm një Partneritet të ri Gjyqësor me gjyqtarët tanë më me përvojë të cilët do të angazhohen me gjyqtarët këtu në Shqipëri. Këto shkëmbime do të intensifikohen, do të ketë trajnime me Shkollën e Magjistraturës nga ekspertë dhe gjyqtarë britanikë. Këtë do ta bëjmë me të gjitha institucionet e drejtësisë dhe deri tani është vënë re progres i rëndësishëm, dhe gjatë tre viteve të mia këtu kam vënë re transformim në këtë kuadër. Tani shohim që ka më shumë drejtësi, dhe është shumë më mirë kur në vend zbatohet Drejtësi Kombëtare. Ndonjëherë mund të ketë nevojë edhe për veprime ndërkombëtare, por Drejtësia Kombëtare është element jashtëzakonisht i rëndësishëm, dhe ne do të vijojmë të mbështesim fuqimisht llogaridhënien, fuqizimin e sundimit të ligjit dhe arritjen e ekuilibrit të duhur që realisht siguron marrjen e drejtësisë në gjykatë. Këtë kemi nisur ta shohim tek numri i çështjeve por e kemi përjetuar edhe përmes shqiptarëve me të cilët kam diskutuar për përvojat e tyre me sistemin e drejtësisë, por duhet të bëhet Drejtësi për të Gjithë.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!