Ndonëse Ukraina nuk e ka njohur ende pavarësinë e Kosovës, ministri i Jashtëm shqiptar Igli Hasani thotë se retorika politike atje ka ndryshim në raport me këtë çështje.
Në intervisën e tij të parë si ministër i Jashtëm, Hasani tha për gazetarin Sokol Balla në ‘Real Story’ se koha dhe puna do të krijojë ambientin e përshtatshëm që gjërat të avancojnë sa më mirë.
“Është një ritëm i caktuar që të gjithë njerëzit duhet ta kuptojnë se gjërat nuk ndodhin brenda natës. Mos harrojmë ku ka qenë Ukraina para 10 viteve, mos harrojmë qëndrimet politike që ka mbajtur në raport me Kosovën para 2014, dhe shikoni që retorika politike në Kiev ka ndryshim të madh. Koha dhe puna do të krijojë ambientin e përshtatshëm që gjërat të avancojnë sa më mirë. Gjërat lëvizin me ditë, me shpejtësi. Qëllimi ynë kryesor është mbi të gjitha njohja e Kosovës nga sa më shumë vende. ” u shpreh ai.
Ndër të tjera Hasani komentoi edhe deklaratat që Rusia apo Serbia kanë bërë më herë për të risjellë në OKB çështjen e Kosovës.
“Kosova nuk ka mburojë më të madhe se Shqipëria dhe për këtë ne jemi të gjithë të qartë dhe të gatshëm, që këtë mburojë dhe mbështetje ta vendosim atje ku duhet” u shpreh ministri Hasani.
Sakaq, Hasani nuk komentoi zhvillimet e fundit në Kosovë, apo deklaratat e kryeministrit Albin Kurti ndaj zyrtarëve të BE, duke theksuar se më parë do të vendosë kontakte me ta.
“Më lejo Sokol, mos t’i përgjigjem diplomacisë së mikrofonit, para se të vendos kontakte me miqtë dhe vëllezërit tanë në Prishtinë. Jam te faza që do takohem me ta dhe do vijoj të përsëris qëndrimet e qeverisë shqiptare për çështje të caktuara, por është mirë që miq dhe vëllezërit në Prishtinë t’i marrin këto mesazhe drejpërdrejtë nga unë.” vijoi më tej ai, ndërsa shtoi se këto kontakte tashmë kanë nisur./abcnews.al