A mund të sjellin rezultate pozitive bisedimet Turqi-Greqi?

schedule15:04 - 18 Janar, 2021

schedule 15:04 - 18 Janar, 2021

Nga Metin Gurcan “Al Monitor

Pas disa muajsh tensione dypalëshe mbi kufijtë detarë dhe të drejtat e kërkimit të gazit, diplomatët turq dhe ata grekë, kanë planifikuar të rifillojnë më 25 janar bisedimet në Stamboll, mbi mosmarrëveshjet e vjetra territoriale në Detin Egje.

Takimi vjen pas një ndërprerje gati 5-vjeçare të këtyre bisedimeve, por perspektiva e çdo lloj de-përshkallëzimi domethënës të situatës dhe ndërtimin e besimit mes palëve, duket ende e largët. Takimi do të shënojë raundin e 61-të në të ashtuquajturat bisedime eksploruese midis dy fqinjëve të trazuar, të iniciuar gati dy dekada më parë në një përpjekje për të përcaktuar dhe zgjidhur një lëmsh ​​të pretendimeve territoriale që përplasen në Egje.

Të dyja palët kanë raportuar pak përparime në bisedime përgjatë viteve, ndërsa mosmarrëveshjet -mbi shelfin kontinental, kufijtë e hapësirës ajrore, ishujt e diskutueshëm dhe militarizimi nga Greqiai ishujve pranë brigjeve turke – janë bërë edhe më komplekse që nga raundi i fundit i bisedimeve në marsin e vitit 2016, pas një grindje të re mbi të drejtat e kërkimit për gaz në Mesdheun Lindor.

Ankaraja nënshkroi në nëntorin e vitit 2019një marrëveshje kufitare detare  me Qeverinë

e Marrëveshjes Kombëtare të Libisë me seli në Tripoli, ndërsa Greqia nënshkroi një marrëveshje të ngjashme me Egjiptin në gushtin e vitit 2020.

Këto marrëveshjet përfshijnë zona të mbivendosura në Mesdheun Lindor, gjë që do të thotë se mosmarrëveshjet turko-greke janë shtrirë përtej Egjeut, duke u shndërruar në një krizë rajonale që përfshin shtete të tjera bregdetare.

Bisedimet eksploruese turko-greke filluan që në vitin 2002, gjatë një zbutje të marrëdhënieve dypalëshe, të kryesuara nga Ministri i atëhershëm turk i Punëve të

Jashtme Ismail Cem dhe homologu u tij grek, George Papandreou. Procesi ka qenë i paqëndrueshëm, duke pasqyruar ulje-ngritjet në marrëdhëniet dypalëshe. Ndërsa 3 vitet e para u zhvilluan më shumë se 30 raunde bisedimesh, dialogu u bë më pak i shpeshtë ose pësoi ndërprerje të gjata në vitet pasuese.

Verën e vitit të kaluar, tensionet dypalëshe u rritën rreth ishullit grek Kastellorizo, një grumbull shkëmbinj buzë bregdetit turk, ndërsa Ankaraja dërgoi një anije kërkimore për gaz, të shoqëruar nga anije ushtarake, në zonën ku Greqia gjithashtu pretendon të drejtat e saj detare.

Megjithëse zona nuk është në vetvete pjesë e Detit Egje, kjo çështje pritet të ngrihet edhe në takimin e 25 janarit, pasi të drejtat detare formojnë thelbin e mosmarrëveshjes dypalëshe në të dyja detet. Greqia dhe Turqia do të vlerësojnë sesi kanë ndryshuar pozicionet e tyre gjatë 5 viteve të fundit, dhe çfarë mund të negociojnë më tej.

Pala greke, dëshiron të kufizojë diskutimin në përcaktimin e zonave detare, ndërsa Turqia dëshiron diskutimin edhe të statusit të ishujve lindorë të Egjeut, si dhe ishujve që pretendon se kanë një“pronësi të papërcaktuar”. Takimi – që do të drejtohet nga zëvendësministri i Jashtëm turk Sedat Onal dhe diplomati veteran grek Pavlos Apostolidis – nuk ka gjasa të prodhojë ndonjë përparim në një periudhë afatshkurtër.

Gjithsesi, Ankaraja ka rënë dakord të rifillojë bisedimet, edhe pse deri pak javë më parë u duk e prirur për një diplomaci muskuloze dhe agresive përballë Greqisë. Si shpjegohet ndryshimi i qasjes? Arsyet kanë të bëjnë më shumë me faktorët e jashtëm, sesa me një ndryshim të politikave në Ankara.

Dhe faktori kryesor i jashtëm, është ndryshimi i pushtetit në Shtëpinë e Bardhë. Largimi i  presidentit Donald Trump, do t`a privojë Ankaranë nga aleati i saj kryesor në Uashington gjatë 4 viteve të fundit. Administrata e ardhshme e presidentit Joe Biden, jo vetëm që nuk ka gjasa të jetë aq e butë ndaj Ankarasë, por pritet të koordinojë me Bashkimin Evropian një qasje më të ashpër ndaj Turqisë.

Vendimi i Ankarasë për të rifilluar bisedimet me Greqinë,duket si një mesazh për administratën Biden dhe BE-në, përpara samiteve të rëndësishme të NATO-s dhe BE-së.

Në samitin e 17 shkurtit të NATO-s në Bruksel, Biden dhe krerët e BE-së, pritet të diskutojnë pasjen e një qasje të përbashkët mbi Turqinë.

Prandaj, Turqia dëshiron të tregojë një angazhim për diplomacinë në raport me Greqinë përpara këtij samitit, edhe pse në fakt pret pak nga këto bisedime. Aktualisht Ankaraja zien nga zërat mbi përpjekjet intensive për të rregulluar një takim midis Erdogan dhe Biden në kuadër të samitit.

Thuhet se Erdogan ka bërë përpjekje të shumta për të zhvilluar një telefonatë me Biden gjatë muajit të kaluar, por deri më tani pa sukses. Nëse Biden do të takohet me Erdogan në Bruksel, kjo do të jetë një shenjë e rëndësishme se si do të vazhdojnë marrëdhëniet Turqi-SHBA gjatë muajve të ardhshëm.

Një tjetër moment historik për Ankaranë është samiti i BE-së në muajin mars. Samiti i dhjetorit, përfundoi me një vendim për të shtyrë për në samitin e marsit diskutimet mbi sanksionet e mundshme kundër Turqisë mbi “aktivitetet e saj të shpimit të paautorizuar në Mesdheun Lindor”.

“BE do të kërkojë të koordinohet me SHBA-në mbi çështjet që lidhen me Turqinë dhe situatën në Mesdheun Lindor”- u theksua në një deklaratë të Këshillit Evropian. Ndaj Ankaraja është e etur të tregojë se e favorizon de-përshkallëzimin e situatës, si në tryezën e negociatave ashtu edhe në terren.

Anija kërkimore “Oruc Reis”, e cila u angazhua në kërkimet për gaz në ujërat mesdhetare gjatë gjithë verës që shkoi, është ankoruar në Gjirin e Antalias dhe do të qëndrojë atje deri më 15 qershor. Rinisja e bisedimeve me Greqinë, ka zemëruar shumë qarqet nacionaliste të Turqisë, përfshirë admiralë në pension dhe gjeneralë që kanë shumë dyshime mbi Perëndimin.

Ata i shohin bisedimet si “rrahja e ujit në havan” ose si një truk diplomatik për t`a shpërqendruar Turqinë ndërsa Greqia çon përpara interesat e saj në terren. Admirali në pension Cem Gurdeniz –që vlerësohet si një arkitekt i konceptit “Blue Homeland”, që mbron zgjerimin gjeopolitik të Turqisë dhe mbrojtjen agresive të interesave të saj detare- beson se Ministria e Jashtme ka qenë shumë e butë në bisedimet eksploruese, dhe se rifillimi i tyre rrezikon parimet e “Blu Homeland”.

Në deklaratat për mediat javën që shkoi, Gurdeniz tha se Turqia është para një udhëkryqi  gjeopolitik, ku duhet të vendosë nëse do të vazhdojë të rreshtohet me bllokun perëndimor të sigurisë në Mesdheun Lindor dhe Detin Egje, apo nëse do të zgjidhë strategji të pavarura për të mbrojtur interesat e saj.

Ai e kritikoi ashpër qeverinë për tërheqjen nga qëndrimi i saj i ashpër në mosmarrëveshjen  me Greqinë, duke shtuar:“Me një sjellje të tillë dredha-dredha, nuk mund të menaxhohet gjeopolitika e Turqisë”.

Pra vendimi i Ankarasë për të rinisur bisedimet me Greqinë, duket si një gjest për ta marrë më të mira administratën e ardhshme amerikane të Joe Biden dhe Bashkimin Evropian. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për Athinën. Kur të pozojnë para kamerave në të njëjtën dhomë më 25 janar, delegacionet turke dhe greke do t`a kenë përfunduar misionin e tyre. / Nga Alket Goce për abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!